Arbëri

Thaçi e Haradinaj të pikëlluar me vdekjen e Ashdownit

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas vdekjes së diplomatit britanik, Paddy Ashdown, i dërgoi një telegram ngushëllimi familjes dhe popullit britanik.

Vdes Paddy Ashdown, emisari britanik i luftës në Kosovë dhe dëshmitar kundër Millosheviqit

“Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e mikut të Kosovës, diplomatit britanik, Paddy Ashdown. Ai ishte zëri më i fuqishëm i intervenimit të NATO-s për të parandaluar spastrimin etnik në Kosovë. Ashdown ishte, po ashtu, një mbështetës i flaktë i pavarësisë së Kosovës”, thuhet në telegram.

Tutje, ai ka thënë se është shumë i nderuar që në dy dekadat e fundit ka bashkëpunuar ngushtë me të për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Ngushëllime familjes, popullit britanik”, thuhet ndër të tjera në telegramin e presidentit Thaçi.

Ndërsa, edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e ka quajtur lajm pikëllues vdekjen e tij.

“Pikëllues lajmi për vdekjen e mikut të Kosovës, Paddy Ashdown, i cili për një dekadë udhëhoqi partinë Liberale Demokratike në Britani dhe kishte shërbyer si emisar i Qeverisë britanike gjatë luftës në Kosovë. Ashdown ishte një nga përkrahësit më të mëdhenj të intervenimit ushtarak të NATO-s në Kosovë dhe dëshmitar në Tribunalin e Hagës, kundër Millosheviqit. Ngushëllime të thella për familjen dhe miqtë e liberalit të madh, Ashdown!”, ka shkruar Haradinaj.