Arbëri

Në Kosovë zbatohen vetëm 2 nga 25 nenet e Ligjit për të Verbrit

Mos zbatimi i ligjit për të verbrit është problemi më i madh me të cilin përballen kjo pjesë e shoqërisë. Prej 25 neneve sa ka Ligji për të Verbrit, sipas Shoqatës për të Verbrit e Kosovës janë vetëm dy nene që zbatohen, ai për pagesën e verbërisë dhe e drejta për shoqërues.

Kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuki, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se personat e verbër problemin kryesor e kanë mos zbatimin e ligjit për të verbrit.

Çështja e punësimit është një problem tjetër me të cilën përballën personat e verbër, ku sipas Tishukit personat e verbër që punojnë mund të numërohen në gishta.

“Komuniteti i të verbërve në Kosovë, në situatën aktuale më së shumti ka vështirësi se edhe pse ligji për persona të verbër është në fuqi akoma ky ligj nuk ka mundur të gjej zbatim të plotë, ose të them të drejtën vetëm 2 nene respektohen dhe zbatohen prej krejt ati ligji. Vetëm sa i përket pagesës që bëhet për kompensimin e verbërisë edhe në të drejtën për shoqërues, ky nen në përpikëri ka filluar të zbatohet. Nenet tjera ka ngecje në zbatueshmëri të këtij ligji, që dalin atëherë tek problemet e shumta që edhe pengesat e sfidat që reflektojnë drejtpërdrejt tek personat e verbër”, ka thënë ai.

Sipas Tishukit, në Kosovë janë 2 mijë e 500 persona të verbër, prej të cilëve 1 mijë e 700 janë të verbër të kategorisë së parë që janë plotësisht të verbër, kurse 800 janë të kategorisë së dytë të cilët fitojnë kompensim verbërie po nuk kanë të drejtë shoqëruesi.

Me ligjin aktual të verbrit marrin kompensim të verbërisë në shumën prej 125 euro, kurse të verbrit e kategorisë së parë marrin edhe 125 euro të tjera për shoqëruesin.

Punësimi sipas kryetarit të Shoqatës së të Verbërve, është shkalla më e lartë e integrimit të një personi të verbër, ku ai thotë se kur një person të punësosh ai veç integrohet.

“Punësimi si problem shoqëror që është në Kosovë dihet se është shkalla e lartë e papunësisë, por kur e krahasojmë tek personat me aftësi të kufizuar, në veçanti tek personat e verbër ky problem vetëm sa shkon e thellohet dhe është shumë herë më i lartë sesa me marrë në proporcion me shoqërinë. Në gishta mund të numërohen personat e verbër që janë të punësuar në institucione, mund të jenë tre, katër. Përveç në shkollën për të verbër janë të punësuar 4 persona të verbër, kurse në krejt këto institucionet tjera shtetërore janë edhe tre ose 4 persona të punësuar. Ani pse ligji për aftësim, riaftësim dhe punësim të personave me aftësi të kufizuar ekziston, po as ai ligj nuk ka gjet zbatim deri tash, i cili thotë se çdo ndërmarrje publike apo private duhet në çdo të 50 punëtor të ketë një punëtor që është person me aftësi të kufizuar”, është shprehur ai.

Të verbrit sipër përfaqësuesit të tyre kanë probleme edhe në arsimim. Tishuki thotë se sa i përket arsimit parauniversitar nuk mund të ankohen, pasi sipas tij, Qendra Burimore në Pejë ofron kushte të mira.

Megjithatë, ai thotë se të kanë mungesa tek pajisja me mjete ndihmëse tiflo-teknike, ani pse këto parashihen edhe me ligj.

Këto probleme shtohen kur një person i verbër dëshiron që të shkojë në shkollë të rregullt.

“Një i verbër për të shkuar në shkollë të rregullt janë disa kushte specifike. Specifik është mësimi i braillit ku është pak më i vështirë dhe dëshiron angazhim më të madh, orientimi dhe mobiliteti, me ua mësua orientimin dhe mobilitetin dhe teknikat e orientimit që me e bë sa më të pavarur dhe me ia mësua pajisjet tiflo-teknike. Pasi që teknologjia ka avancuar mjaft po ato pajisje teknologjike dhe tiflo didaktike duhet të mësohen fëmijët e verbër se si të përdoren ato. Këtu është ajo esenca që iu nevojitet edhe një asistent mbështetës në vazhdimësi që me pas mundësi me qenë suksesi i plotë i arsimit tek këta fëmijë”, ka deklaruar ai.

Por sipas kryetarit të Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuki, problemi më i madh është tek arsimi universitar, pasi ai thotë se nuk ka literaturë të mjaftueshme në shkrimin e braillit.

Ai fajëson edhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që nuk ka bërë asgjë për të siguruar literaturë të mjaftueshme për ata persona që ndjekin universitetin.

“MAShT deri tash sa i përket literaturës të arsimit universitar nuk ka lëvizur dhe është në pikën zero çështja e literaturës për persona të verbër, të literaturës të arsimit universitar. Shoqata gjatë vitit 2012-2014 ka pasur një projekt për komision Evropian dhe në atë projekt janë shtypur disa tekste në shkrimin braill për studentët. Por, me të vërtet aty është fushë shumë e vështirë sepse kostoja e shkrimit të braillit është bukur e madhe dhe studentët atyre i kanë vështirësitë kryesore tek literatura. Vetëm vullneti i fort për të studiuar dhe janë gjendur në mënyrë vetanake me dëgjim, me incizime të ndryshme, sepse tekste profesionale nuk ka të mjaftueshme”, ka thënë ai.

Tishuki ka folur erdhe rreth shumës që një person i verbër duhet të paguaj për të qenë pjesë e Shoqatës së të Verbërve të Kosovës dhe të pajiset me librezë të verbërisë.

Ai shumën prej 24 eurove në vit e quan të arsyeshme, pasi sipas tij me ato para shoqata organizon aktivitete të ndryshme.

“24 euro në vit është, shuma e anëtarësisë dhe anëtarësinë personat e verbër e paguajnë nëpër degë. Me vendim të Këshillit Drejtues ekziston vendimi që 80 përqind të asaj anëtarësie i ndal dega për aktivitete të ndryshme që ka, 20 përqind drejtohen për çështje administrative në Shoqatën e të Verbërve të Kosovës. Kurse, ai 80 përqind ka me u shfrytëzua në të mirën e të gjithë anëtarësisë, aktivitete kulturore, aktivitete sportive dhe ndihma eventuale apo emergjente që kanë nevojë. Degët i mbikëqyrin atë 80 përqindëshin e saj”, është shprehur ai.

Ndryshe, në Kosovë janë 2 mijë e 500 persona të verbër.