Arbëri

LDK-ja e VV-ja s’i shkojnë Veselit në tryezë

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja “Vetëvendosje” nuk do të ulen në tryezën e së mërkurës të thirrur nga kryekuvendari Kadri Veseli, bashkë me partitë e tjera për të diskutuar lidhur me procesin e dialogut.

Dy këto parti opozitare kanë mbledhur nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për të diskutuar lidhur me draft-marrëveshjen përfundimtare të Qeverisë po në këtë ditë, raporton KTV.

Në kërkesën e tyre thuhet se një dokument i tillë është problematik, për çka duhet të debatohet dhe më pas, të miratohet një rezolutë.

Sidoqoftë, dy partitë opozitare gjatë së premtes deklaruan se e refuzojnë ftesën, duke thënë se nuk bëhen pjesë e lojërave të presidentit Hashim Thaçi.

As Lëvizja Vetëvendosje nuk do të jetë pjesë e tryezës, pasi siç thonë në këtë parti opozitare, emërimi i ekipit negociator përmes rezolutës është i papranueshëm.

Gjatë vitit, u mbajtën disa tryeza për të arritur një konsensus për dialogun, por që të gjitha përfunduan pa asnjë rezultat.