Gazetarët të pafuqishëm t’i mbrojnë të drejtat e tyre

20 December 2018 20:31
21:23

Pantina thotë se gazetarët nuk po bëjnë mjaftë për t’i mbrojtur të drejtat e tyre

Deputetja e VV-së, Shqipe Pantina, pjesë e komisionit për media në Kuvendin e Kosovës , ka thënë në Rubikon të KTV-së se gazetarët nuk po bëjnë mjaftueshëm për të mbrojtur të drejtat e tyre.

Sipas saj, gazetarët duhet të solidarizohen me njëri tjetrin dhe të protestojnë edhe për kushtet dhe të drejtat e tyre si punëtor.

Në këtë mënyrë, sipas Pantinës, edhe mediumet do t’i trajtonin më me seriozitet.

"Unë e përshëndes, kam shumë simpati kur gazetarët çohen në protesta për lirinë e fjalës por sa herë e bëjnë për të drejtat e tyre si të punësuar në këtë rast. Nëse rritet solidariteti mes gazetarëve të të gjitha mediumeve, mendoj që edhe mediumet individualisht do t'i trajtonin më me seriozitet”, ka thënë ajo.

"Gazetarët luftojnë shumë për ta ushtruar funksionin e tyre por më pak për ta realizuar të drejtën e tyre si të punësuar", ka shtuar më tej ajo.

21:05

KDI kërkon transparencë të vendimeve të Inspektoratit të Punës

Mungesa e guximit të gazetarëve për të raportuar shkeljen e të drejtave të tyre, edhe pse janë të mirë informuar mbi çdo gjë, se çka u kërkohet dhe për çka u detyrohen punëdhënësit, vjen nga mungesa e gjobave për rastet e paraqitura.

Sipas anëtarit të AGK-së, Arsim Halili, veç më këshilla të Inspektoratit nuk zgjidhet kjo situatë.

“Gazetarët nuk kanë guxim se nuk i shohin efektet në terren, që nuk e shohin që punëdhënësi nuk po gjobitet, veç me këshilla të Inspektoratit nuk zgjidhet kjo punë”, ka thënë Halili.

Florent Spahija nga KDI ka thënë se pasoja për gazetarin i cili veçse ka raportuar për shkelje shkon tutje.

Deri në marrje të vendimit, gazetari mbetet pa punë dhe përveç kësaj, ai nuk mund të gjejë punë në një medium tjetër duke qenë se ekziston një gjykim për të.

“Pasoja për gazetarin është mungesa e punës, ai mbet pa punë, nuk i kompensohet paga dhe problemi tjetër që del është se cila media e merr këtë gazetar i cili ka shkaktuar probleme në medien e caktuar”, ka thënë Spahija.

Spahija zgjedhjen e problemit e gjen te transparenca.

“Zgjedhja nëse inspektorati i punës i bënë transparente të gjitha vendimet”.

20:57

Kryeinspektori nuk ka përgjigje pse inspektorët e njëjtë inspektojnë shkallën e parë dhe të dytë

“Si është e mundur që të njëjtit inspektorë mu urdhëru prej shkallës dytë, të njëjtit më lëshu vendim ndryshe kontradiktorë me atë të parin”, pyet anëtari i AGK-së, Arsim Halili kryeinspektorin Basri Ibrahimi.

Kjo ngase sipas tij është e pakuptimtë nëse e njëjta përbërje e trupës gjykuese vazhdon ta përcjellë rastin edhe në shkallën e dytë, meqë ishte po ajo, që në shkallën e parë ka vërtetuar diçka tjetër dhe rrjedhimisht është kontradiktore.

Kryeinspektori Basri Ibrashimi sqaron vetëm procesin por jo edhe arsyen pse përbërja e kësaj trupe mbetet e njëjtë.

“Shkalla dytë ka konstatuar që inspektori gjatë inspektimit ka nxjerrë konkludime të gabueshme dhe për atë është shkalla e dytë", ka thënë Ibrahimi.

20:39

Abrashi flet për ligjin që do t’i mundësojë KPM-së vetëfinancim

Arban Abrashi, anëtar i komisionit për media në Kuvendin e Kosovës në Rubikon të KTV-së foli për iniciativën që ky komision ka marrë lidhur me Ligjin për KPM-në.

Image

Sipas tij, përmes këtij ligji, Komisioni i Pavarur për Media do të ketë kompetenca më të zgjeruara dhe do t’i mundësohet vetëfinancimi.

“Me fillu me trajtu ligjin për KPM-në duke përfshirë edhe zgjerim të kompetencave. Jemi në fazën fillestare, deri tash ka qenë një takim i grupit punues mes nesh e KPM-së, zgjerimi i kompetencave edhe në këto portalet online, për aq sa lejohet”, sqaroi Abrashi.

“Po mendojmë që përmes këtij ligji të rrisim edhe vetëfinancimin e KPM-së, në mënyrë që të jetë sa më e paanshme por edhe diçka që s'ka qenë më herët, synojmë me përfundu me ligj, janë edhe burimet tjera financiare, mjetet që mbledhjen dhe të shpërndahen nëpër media që përfshijnë edhe edukimin”, ka thënë ai.

20:31

Gazetarët të pafuqishëm t’i mbrojnë të drejtat e tyre

Gazetarët vazhdojnë të mbesin të pafuqishëm në mbrojtjen e të drejtave të tyre, madje me mungesa esenciale brenda marrëdhënies së punës e që përkthehet në mungesë të kontratave dhe pamundësisë për të shfrytëzuar pushimin vjetor, gjë që do t’i takonte me një kontratë të rregullt, çështje kjo që rregullohet përmes ligjit të punës.

Kryeinspektori në Inspektoratin e Punës, Basri Ibrahimi në Rubikon të KTV-së ka thënë se brenda vitit 2018 kanë pasur tetë ankesa dhe për katër prej tyre janë shqiptuar gjoba.

Image

Raporti i vitit 2016 i këtij Inspektorati gjen gazetarët në një ambient edhe më të errët, ku sipas gjetjeve të tyre, nga 1896 punëtorë të përfshirë në inspektim, 782 prej tyre nuk e kanë shfrytëzuar pushimin vjetor.

“Në vitin 2018 i kemi pasë tetë raste me ankesa të gazetarëve dhe i kemi shqiptuar katër gjoba me këto raste. Në vitin 2016 kemi gjetur një gjendje që lë shumë për të dëshiruar. Kemi gjet punëtorë pa kontrata pune, nëse një medium gjenden punëtorë pa kontrata punë, çka mund të presim prej punëtorëve që punojnë në ndërtimtari që nuk e dinë se ku duhet të kërkojnë të drejtat e tyre”, ka thënë ai.

“Nga ai inspektim janë përfshirë 1896 punëtorë dhe prej këtyre pushimin vjetor nuk e kanë shfrytëzuar 782 ose kanë pasë probleme në shfrytëzimin e pushimit vjetor”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme