“Evropa e SHBA-ja të mos lejojnë që Putini të kapë Ballkanin” Foto: Ilustrim

“Evropa e SHBA-ja të mos lejojnë që Putini të kapë Ballkanin”

20 dhjetor 2018 19:25

Agjencia amerikane Bloomberg, në artikullin "Ballkani të mbahet jashtë rrugës së Putinit", vlerëson se kjo duhet të jetë një kohë optimizmi për vendet e ish-Jugosllavisë, por pohon se lajmet e mira në Ballkan janë të padëshirueshme për presidentin rus, për shkak të forcimit të lidhjeve të këtij rajoni me Evropën Perëndimore.

Bloomberg kujton se Mali i Zi është bërë anëtari i 29-të i NATO-s dhe se Maqedonia po punon për të zgjidhur mosmarrëveshjen me Greqinë lidhur me emrin, se në BeH këtë vit në mënyrë më paqësore kanë kaluar zgjedhjet e përgjithshme se sa në vitin 2014, dhe se bisedimet e paqes mbi Kosovën po përparojnë edhe pse nuk po mbahen rregullisht.

"Megjithatë, për Vladimir Putinin, të gjitha këto janë lajme të padëshiruara, siç janë stabilizimi i Ballkanit dhe forcimi i marrëdhënieve të tij me Evropën Perëndimore. Presidenti rus mendon se vendet perëndimore përqafojnë pjesën ballkanike të përpjekjeve për të rrethuar Rusinë dhe për të privuar fuqinë e saj botërore. Prandaj, Moska bën çdo përpjekje për të penguar këtë, " shkruan Bloomberg.

Teksti përmend veprimet e supozuara të Rusisë, duke pretenduar se paraqesin një problem për Evropën dhe Ballkanin, duke destabilizuar pjesën juglindore të kontinentit dhe duke treguar hapat që duhet të bëjë BE, transmeton KosovaPress.

Si njëri prej tyre, përmendet se BE duhet të inkurajojë negociatat e paqes midis Beogradit dhe Prishtinës duke ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis dy palëve lidhur me taksat mbi importin e mallrave.

Agjencia gjithashtu vlerëson se NATO mund të ndajë ekspertizën e vet me vendet e Ballkanit në luftën kundër sulmeve të hakerëve, si dhe të organizojë ushtrime të mëdha ushtarake për të reduktuar pasojat e fatkeqësive dhe me vendet jo anëtare të NATO-s, dhe jo vetëm me Malin e Zi.

"Përfundimisht, rëndësia e vizitave zyrtare nga zyrtarë të lartë evropianë dhe amerikanë nuk duhet të nënvlerësohet. Në luftën kundër propagandës ruse, çdo aspekt i mbështetjes morale nga Perëndimi është shumë i dobishëm. Për të vazhduar përparimin drejt paqes dhe stabilitetit, Ballkani duhet të sigurohet se Evropa dhe SHBA nuk do t'i lënë ata të pambrojtur ndaj manipulimeve të Putinit ", thuhet në artikull.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme