Arbëri

Seksiste dhe raciste vlerësohen veprimet e Pacollit gjatë raportimit në Kuvend

Behgjet Pacolli, duke qenë Ministër i Jashtëm, me veprimin e tij të mospjesëmarrjes ka shkelur edhe rregulloren e punës së Kuvendit, e cila e obligon atë të jetë pjesëmarrës në interpelancat e thirrura nga Kuvendi.

Përveç kësaj, ministrat janë të detyruar, sipas të njëjtës rregullore, që të marrin pjesë edhe në komisionet parlamentare.

Skandaloze është vlerësuar paraqitja e tij në Komisionin për Punë të Jashtme nga deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.

Seksiste dhe raciste janë cilësuar këto veprime të shefit të diplomacisë kosovare, gjersa elaboroi atë se si Serbia e mundi Kosovën në Interpol.

“Ministri Pacolli, ndërsa elaboroi veprimet e ndërmarra nga ana e Serbisë për bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol, devijoi në gjuhë të papranueshme dhe joadekuate që një përfaqësues i shtetit të Kosovës duhet të përdorë në adresimin e tij zyrtar. Rrjeti i Grave të Kosovës i drejtohet ministrit Pacolli me kërkesën që të ofrojë sqarime serioze dhe përgjegjësi mbi dështimin e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, duke shprehur indinjatën ndaj deklaratave te tij seksiste dhe raciste, të cilat nuk janë në përputhje me vlerat e demokracisë së shtetit të Kosovës”, thuhet në një përgjigje nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

Ndryshe, jo rrallë herë, Ministria e Jashtme është përfshirë në skandale dhe debate të ashpra për njohjet.

Kur KTV-ja, në nëntor, raportoi se Ishujt Solomon kanë tërhequr njohjen për shtetësinë, një gjë e tillë nuk u pranua nga Ministria e Jashtme, madje akuzat ishin të rënda duke cilësuar lajmin si një propagandë proserbe.