Tërmkolli me një sërë kritikash për ekipin negociator dhe partinë e saj, LDK-në Foto: Ilustrim/Koha

Tërmkolli me një sërë kritikash për ekipin negociator dhe partinë e saj, LDK-në

20 dhjetor 2018 17:10

Ish-deputetja, tani anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Melihate Tërmkolli, përmes një shkrimi të saj pyet se “Kush po bisedon me Serbinë?”. Madje, përveç që kritikon ekipin negociator në bisedime me Serbinë, ajo në këtë shkrim ka kritika edhe për LDK-në.

Tërmkolli thotë se ekipi negociator i Kosovës i votuar këto ditë në Kuvendin e Kosovës, me përbërjen që e ka dhe me mënyrën si është formuar është vetëm ekip i ruajtjes së interesave të partive në pushtet dhe mbajtjes së pushtetit, por jo edhe ekip negociator.

“Ky grup i formuar në mënyrën më të ulët, nga një parti e cila nuk ka hyrë në zgjedhje asnjëherë, nuk përfaqëson as vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe as që përbën grup i cili mund të marrë vendime në emër të Kosovës. Askush nuk e ka sqaruar deri tani raportin e këtij grupi me Presidentin, a është grup që i ndihmon Presidentit, a është i ndarë nga ai, apo ҁfarë është ?!. T’i bësh ftesë LDK-së, t’i thuash se ke vend të rezervuar madje ta akuzosh pse nuk është pjesë e një grupi të lagjes i formuar për gjëja bisedime me Serbinë është një joseriozitet i lartë, është më tepër se shaka e ulët që i drejtohet LDK-së dhe Kosovës. Paramendoni pjesëmarrjen e LDK-së në një grup të cilin e udhëheqin dy përfaqësues të subjekteve krejtësisht autsajdere të politikës”, ka shkruar Tërmkolli, transmeton KOHA.net.

Deri tani, thotë tutje Tërmkolli, ‘në historinë tonë më të re, Kosova asnjëherë nuk ka qenë më joserioze dhe më e dobët në përfaqësimin e saj në bisedime me Serbinë, nëse puna mbetet kështu siҁ është’.

“Kështu nuk bëhet politikë, kështu nuk bëhen bisedime, kështu nuk ka interes kombëtar. Edhe Presidenti, edhe pozita edhe opozita duhet t’i lënë këto manovrime politike dhe të bashkohen për të formuar një ekip serioz politik dhe të përgjegjshëm, një ekip të vetëm reprezentativ, me autoritet dhe integritet politik e profesional në të cilin LDK do të ishte të paktën bashkëdrejtuese e procesit të bisedimeve dhe vendimeve politike kombëtare”, ka thënë Tërmkolli.

Ajo, gjithashtu ka përmendur letrën e presidentit amerikan Donald Trump, duke thënë se “Letra e Presidentit Trump duhet të merret me seriozitetin më të madh”.

“Në anën tjetër mungesa e fuqisë politike të udhëheqjes së LDK-së dhe kalkulimet pushtetore për zgjedhje (edhe kalkulimet e brendshme për lidership), ka bërë që LDK, për herë të parë në historinë e Kosovës të mbetet jashtë proceseve më të mëdha dhe më të rëndësishme politike për interesat e vendit. LDK ka kohë që është në bisht të ngjarjeve më të mëdha, nuk është as pozitë as opozitë, është vetëm një votuese e vendimeve të subjekteve tjera. Deklarata e Kryetarit të LDK-së se ajo do t’i përkrahë bisedimet si opozitë është e pamoralshme politikisht, e dëmshme kombëtarisht dhe e mjerueshme praktikisht. Është e dhimbshme dhe e rëndë ta vësh LDK-në në një pozitë të tillë”, ka thënë tutje.

Tërmkolli gjithashtu thotë në këtë letër se “LDK, nëse nuk është bërë krejt vonë, duhet të gjejë mënyrën që të faktorizohet në këtë proces dhe në proceset tjera me rëndësi për vendin”.

“Pritja që të tjerët t’i kryejnë bisedimet me Serbinë dhe pastaj ato marrëveshje t’i votojë apo jo (nuk është fare me rëndësi!), e qojnë LDK-në në arkivat e historisë ashtu siҁ ka vendosur me gjasë kryetari i LDK-së dhe kalkulantët tjerë për lidership të saj. LDK, prandaj urgjentisht duhet të ketë lider/e të ri që ia kthen LDK-së identitetin, fuqinë dhe autoritetin ndërsa Kosovës realizimin e interesave politike kombëtare”, përfundon ajo.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme