Arbëri

ATK: Sistemi i ri i fiskalizimit pa kosto shtesë për bizneset

Descriptive Text

​Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar të gjitha bizneset lidhur me procesin e ri të fiskalizimit, duke thënë se nuk bëhet fjalë për ngarkim të tatimpaguesit me kosto shtesë, por bëhet fjalë për zhvillim, avancim dhe modernizim të sistemit fiskal.

ATK thotë se vizioni i tyre është zhvillimi dhe avancimi i çdo procesi që ka të bëjë me krijimin e lehtësirave për përmbushjen tatimore, krijimin e bazës ligjore të favorshme për të bërë biznes dhe në funksion të administrimit më të lehte të ligjeve tatimore, ofrimin e sigurisë për tatimpaguesin dhe ATK-në, sigurimin e transparencës, etj.

“Njëri nga projektet për të cilin është krijua grupi është edhe procesi i ri i fiskalizimit, ku me zhvillimin e teknologjisë janë krijuar edhe mundësitë e zhvillimit dhe avancimit të këtij procesi. Sa i përket këtij procesi, jemi në fazën hartimit, plotësimit dhe ndryshimeve të bazës ligjore në të cilën do të përfshihen praktikat më të mira, më të lehta dhe më të suksesshme që janë dëshmuar. Këtu nuk bëhet fjalë për ngarkim të tatimpaguesit me kosto shtesë, por bëhet fjalë për zhvillim, avancim dhe modernizim të sistemit fiskal”, thuhet në një komunikatë të ATK-së.

ATK thotë se reforma në sistemin e fiskalizimit të bizneseve do të ndodh për të lehtësuar kushtet e të bërit biznes.

“Pajisjet fiskale do të lidhen direkt (online) gjatë gjithë kohës me serverët në ATK. Kosto shtesë nuk do të ketë për bizneset, softueri do të ofrohet nga ATK. Shërbimet do të ofrohen nga operatoret e autorizuar, të cilët do të ofrojnë mbështetje, trajnime dhe këshilla për ATK-në, si dhe tatimpaguesit në vazhdimësi”, thuhet në komunikatën e ATK-së.