Arbëri

A do ta unifikojë spektrin politik në Kosovë letra e presidentit Trump?

Descriptive Text

Arritja e një uniteti politik në Kosovë për të finalizuar dialogun politik me Serbinë me një marrëveshje historike, veçohet si një prej pikave kyçe në letrën që presidenti amerikan, Donald Trump ia dërgoi presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Aktualisht spektri politik në Kosovë vazhdon të mos jetë i unifikuar në këtë proces. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mbetet ai që i prin dialogut. Kurse Qeveria bashkë me partinë subjektin opozitar, Partinë Socialdemokrate kanë formuar një ekip negociator që po ashtu synon të marrë rol në procesin final të bisedimeve. Aktualisht, jashtë procesit, kanë mbetur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, që përbëjnë edhe partitë më të mëdha opozitare.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se, presidenti Trump e ka bërë të qartë se kërkon nga liderët e Kosovës, “që ta shfrytëzojmë këtë moment unik që të flasim me një zë”, me qëllim të arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë.

“Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse, vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë”, është shprehur Thaçi.

Ndërkohë që kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se ai e mbështet fuqishëm çdo përpjekje për unifikim të qëndrimeve të spektrit politik dhe përgatitjeve të shpejta për përmbylljen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obligative dhe me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu, edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se letra që presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e dërguar në adresë të presidentit Thaçi, është një mesazh i qartë përkrahës për Kosovën dhe shtetësinë e saj. Andaj, ai ka ftuar gjithë spektrin politike në Kosovës që ta kuptojnë drejt letrën e presidenti Trump.

Më gjerësisht lexoni në: https://www.evropaelire.org/a/a-do-ta-unifikoje-spektrin-politik-ne-kosove-letra-e-presidentit-trump-/29665471.html