Arbëri

Ahmeti thotë se në janar procedohet draft-ligji për Dialogun në Qeveri

Pas mbledhjes së parë të delegacionit shtetëror për Dialogun me Serbinë, u bë e ditur se dy bashkëdrejtuesit e ekipit, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, do të kryesojnë me rend këto takime në të ardhmen.

Ahmeti para gazetarëve shpalosi edhe detaje të tjera rreth organizimit të punës, ndër tjerash se deri më 15 janar duhet të procedohet draft-ligji për dialogun në Qeveri.

“U dakorduam që një herë unë një herë Limaj t’i kryesojmë takimet. U darkoduam që deri më 15 janar të procedojmë draft-ligjin në Qeverinë e Kosovës. Brenda 30 ditësh, delegacioni duhet të përfaqësojë Dialogun me Serbinë. Pesë anëtarë do të punojnë në platformë. Kjo platformë, ashtu si e dini, i përcakton parimet, përfshirë këtu njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Diskutuam në lidhje me buxhetin fillestar, po ashtu edhe takimet, u dakoruduam që të kemi takim me kryetarin e Kuvendit e kryeministrin që të marrim përgjegjësitë dhe dokumentacionin. Kryesorja për neve është procedimi i draft-ligjit”, tha Ahmeti, përcjell KosovaPress.

I pyetur se si do të mund të bindin përfaqësuesit e dy partive të tjera, LDK e VV, për të marrë pjesë në këtë proces, ai tha se ata duhet ta ndiejnë veten të përgjegjshëm për një gjë të tillë.

I pari i Prishtinës po ashtu u pyet se si mundet të jetë edhe kryetar komune edhe udhëheqës dialogu, mirëpo ai zgjodhi që ta anashkalojë këtë pyetje, duke thënë se për një gjë të tillë do të përgjigjet në konferencat e Komunës.