Arbëri

Gashi: Aftësimi profesional i të rinjve hap mundësi punësimi në Kosovë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në një ceremoni të organizuar për ndarjen e certifikatave të aftësimit profesional për punë në sektorin e mobilierisë – montim dhe shitje, ka thënë se aftësimi profesional hap mundësi punësimi në Kosovë.

Dhënia e këtyre certifikatave është bërë pas aftësimit profesional të të rinjve, realizuar në kuadër të programit “Rritja e punësimit përmes zhvillimit të ndërmarrësisë”. Me anë të këtij programi për sektorin e mobilierisë janë trajnuar më shumë se 130 të rinj nga komuna të ndryshme.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, progresivisht ka rritur përkrahjen për rininë e në veçanti në këto vitet e fundit. Qëllimi i realizimit të projekteve të tilla është që të rinjtë të aftësohet në mënyrë që të jenë ekonomikisht të përgjegjshëm dhe të pavarur e kësisoj të jenë qytetarë aktivë e po ashtu që të rinjve të vendit tonë tu mundësohet që ta njohin botën e tyre të brendshme dhe mjedisin që i rrethon”, ka thënë Gashi.

“Ne si Ministri jemi një mekanizëm i rëndësishëm që t’i ndihmojmë të rinjtë për tregun e punës, nga ky projekt 12 të rijnë tashmë janë punësuar. Kjo është edhe një arsye shtesë që në vitin 2019 ta kemi fondin edhe më të madh sa i përket aftësimit profesional të të rinjve por edhe përgatitjes së tyre për tregun e punës”, ka shtuar ai.

Ministri Gashi theksoi edhe pjesëmarrjen e gjinisë femërore që në këtë program pjesëmarrja e tyre ka qenë prej 54% duke e cilësuar këtë si lajm jashtëzakonisht të mirë.

Ndërkaq, përfaqësuesit e bizneseve dhe përfituesve të projektit, për të cilët u ndanë certifikata u shprehën të kënaqur për këtë bashkëpunim dhe sipas tyre realizimi i një programi të tillë ka rezultuar të jetë i suksesshëm në aftësimin e të rinjve.