Ambasadori francez bën thirrje që FSK-ja të përmirësojë marrëdhëniet me NATO-n

Franca përkrah çdo marrëveshje me Serbinë që e voton Kuvendi me dy të tretat

18 December 2018 23:31
23:44

Çdo lloj marrëveshje për të cilën pajtohen palët dhe Kuvendi i Kosovës, është e pranueshme për Francën. Qëndrimin e Parisit e ka bërë të ditur në Interaktiv, ambasadori francez në vend, Didier Chabert.

“Ajo çka ne përkrahim, është një marrëveshje. Nëse do të ketë një marrëveshje në dialog ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duhet të pranohet nga të dyja shtetet. Për Kosovën, duhet të votohet nga 2/3 e Parlamentit. Për Francën është e pranueshme çdo marrëveshje që e përmbush këtë, të nënshkruhet nga pala kosovare dhe të miratohet nga 2/3 e Parlamentit, marrëveshje që ka konsensus të gjerë në Kosovë, çdo lloj marrëveshjeje që është e pranueshme nga Kosova dhe Serbia, që miratohet nga 2/3 e deputetëve në Kosovë. Edhe nëse ky është ndryshimi i kufijve? Nëse miratohet nga 2/3 e deputetëve dhe e pranojnë këtë marrëveshje, ne nuk do të kundërshtojmë demokracinë në Kosovë. Përfaqësuesit e demokracisë në Kosovë janë deputetët. Ata duhet të vendosin me 2/3 dhe nëse e ratifikojnë këtë marrëveshje, ne natyrisht e përkrahim”, ka thënë Chambert.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që presidenti Macron të organizojë një konferencë paqeje në fund të procesit.

23:36

Ambasadori francez: Duhet forcuar sundimin e ligjit para liberalizimit

Faji pse nuk ka vendim për liberalizimin e vizave, sipas ambasadorit të Francës në Kosovë, është te pala kosovare.

Në një intervistë për Interaktiv në KTV, i dërguari i Macronit në Kosovë, Didier Chabert ka thënë se duhet ende punë në fushën e sundimit të ligjit nga Kosova, para se ta marrë vendimin BE-ja.

“Kemi pasur diskutime intensive për këtë temë ndërmjet shteteve anëtare të BE-së dhe disa shtete kanë ngritur shqetësime që situata me sundimin e ligjit në Kosovë, nuk është e tillë që pritet për të marrë liberalizimin e vizave dhe që kriteri i fundit, që ishte luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, kërkon punë shtesë. Ka ende punë për të bërë. Nëse e merrni parasysh situatën, duke parë edhe javën e kaluar Anti-korrupsion, është e qartë se duhet ende punë për t’u bërë, por procesi është i hapur dhe i vazhdueshëm, dhe të gjithë shpresojmë që procesi i liberalizimit do të mbyllet sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Chabert.

Ai ka shtuar se shpreson që vendimi të merret në pranverën e vitit të ardhshëm, dhe se Franca beson që populli i Kosovës e meriton lëvizjen e lirë në BE.

23:31

Ambasadori francez bën thirrje që FSK-ja të përmirësojë marrëdhëniet me NATO-n

Ambasadori francez në Kosovë, Didier Chambert, ka bërë thirrje që FSK-ja përveç zbatimit të planit 10-vjeçar të tranzicionit në Ushtri, duhet të përqendrohet në përmirësimin e marrëdhënieve me NATO-n.

Në një intervistë për “Interaktivin” në KTV, Chambert ka thënë se mënyra se si është miratuar ushtria nuk ka qenë bindëse për NATO-n dhe anëtarët e saj.

“Ligjet tashmë kanë kaluar dhe Franca e merr parasysh këtë vendim nga Parlamenti. Tani është koha për të ecur përpara dhe kjo nënkupton dy gjëra. E para, që të nisë zbatimi i planit 10-vjeçar të tranzicionit, që është miratuar nga ana e FSK-së. E dyta, është që të ketë fokusim në marrëdhëniet me NATO-n. Siç e keni parë në deklaratën e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm, mënyra se si është miratuar nuk ka qenë bindëse për NATO-n dhe strukturat e saj e anëtarët”, ka thënë ambasadori francez.

“Tani është koha për Kosovën dhe FSK-në që të rinisin bashkëpunimin me NATO-n dhe të dëgjojnë se çfarë ka për të thënë NATO. Besoj se do të jetë shumë e rëndësishme që të konfirmohen shumë shpejt të gjitha marrëveshjet ndërmjet FSK-së dhe KFOR-it”, ka thënë Chambert.

I pyetur nëse FSK-ja mund të shkojë në veri të Kosovës, Chambert ka thënë se ata duhet të marrin leje nga KFOR-i për të vepruar në veri.

“Mund të shkojë, por me dritën e gjelbër të KFOR-it. Nuk është se nuk ka të drejtë të shkojë në veri, por e dini se për sigurinë e Kosovës, FSK-ja mbetet furnizues i rëndësishëm i sigurisë për vendin dhe ajo çfarë mund të bëjë Kosova, është që të jetë në koordinim me ata që janë çdo ditë në terren për sigurinë e vendit”, ka thënë Chambert.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme