333 km hekurudhë të Kosovës në gjendje të keqe

333 km hekurudhë të Kosovës në gjendje të keqe

Shahadije Bikliqi Dragaçina Shahadije Bikliqi Dragaçina 18 dhjetor 2018 22:31

Ndonëse ka përfunduar muaj më parë procesi i fizibilitetit për hekurudhat nga Fushë Kosova, Han i Elezit e deri në Maqedoni, nuk ka nisur puna për të përmirësuar infrastrukturën, raporton KTV.

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj kishte thënë se punimet e segmentit të parë do të nisin brenda vitit, por tjetër gjë deklaron kryeshefi i “Infrakosit”. Thotë se ato nisin pas tre mujorit të parë të vitit të ardhshëm.

Tre persona vdiqën në shtatorin e këtij viti, në Dush të Klinës, pasi treni goditi veturën, me të cilën po udhëtonin.

Krejt kjo për shkak të mungesës së një laure.

Por, jo vetëm hekurudhës së këtij qyteti i mungon sinjalizimi.

Në gjendje aspak të mirë infrastrukturore janë pothuajse edhe 333 kilometra binarë të tjerë hekurudhorë aq sa ka Kosova.

Në korrik ka përfunduar procesi i fizibilitetit për hekurudhat nga Fushë Kosova deri në Maqedoni, si dhe nga Fushë Kosova në Serbi. Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, premtoi se punimet për përmirësimin e infrastrukturës do të nisin brenda këtij viti, por një gjë e tillë nuk është parë në terren.

Kryeshefi i “Infrakosit”, Thaçi, këtë e arsyeton me faktin e motit të ftohtë.

Sipas tij, në muajin shkurt ose mars do të nisin punimet e segmentit të parë, pasi që mjetet prej 208 milionë eurosh janë në dispozicion.

Thaçi thotë se nga kjo shumë vetëm gjysma e këtyre mjeteve të cilat janë garantuar nga kredia e marrë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe ajo Evropiane për Investime, do të kthehen.

Ndërsa, pjesa e tjetër nuk do të kthehet pasi granti është nga Bashkimi Evropian.

Afati për pagesën e interesit të kredisë do të jetë për 20 vjet, nga momenti i fillimit të investimeve.

Aktualisht, më së shumti shfrytëzohet linja Prishtinë - Pejë, ndërsa për mallra çdo mëngjes ka linjë për në Shkup, derisa qarkullojnë vetëm pesë trena, gjë që ka ndikuar edhe në uljen e financave për “Infrakosin”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme