Arbëri

Veseli: Ekonomia ka nevojë për një fillim të ri

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, theksoi sot në Forumin Ekonomik të prodhuesve shqiptarë, i cili po mbahet në Pejë, se ekonomia ka nevojë për një fillim të ri me vizion strategjik transformues. Kryetari Veseli tha se Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia aktualisht përbëjnë vendet me numrin më të madh të të papunëve dhe pikërisht po në këto vende është i shfaqur fenomeni i mungesës se veprimtarive prodhuese.

“Derisa konsumojmë maksimalisht produktet e huaja, ne prodhojmë fare pak ose aspak. Të njëjtën kohë kemi papunësinë më të madhe në rajon dhe ndoshta në Evropë, e në të njëjtën kohë kemi mungesën më të madhe të fuqisë së kualifikuar punëtorë për tregun e punë”, theksoi kryetari Veseli.

Ai tha se Kosova ka nevojë për një fillim të ri, i cili njeh progresin e arritur, por nuk pranon deformimet dhe degradimet që vijnë nga mosdija apo qëllimi i ngushtë përfitues i grupeve të ndërlidhura të burokratëve e tregtarëve, që krijojnë konkurrencë jolojale, deri në monopole. Veseli tha se Kosova ka nevojë të domosdoshme për vizion strategjik transformues. Kjo, sipas tij, do të ndihmonte edhe politikën dhe politikanët e errësuar në luftën e tyre vetëm për pushtet dhe hendekun e marrjes me vetveten.

“Kjo gjendje duhet të ndryshojë shpejt dhe vendi duhet transformuar. Kosova shtet me ekonomi prodhuese, e jo konsumuese. Kalimi nga vend supermarketesh, në një vend fabrikash. Nga një vend fermerësh të vegjël, që mezi mbijetojnë, në një vend që konkurron në tregjet e huaja me prodhimet e veta bujqësore. Nga një vend, ku rritja ekonomike vjen nga investimet publike, në një vend ku zhvillimi buron nga sektori privat, prodhues dhe minerar. Ku të rinjtë marrin përgjegjësitë e tyre, jo vetëm për të gjetur punë, por për më tepër të aftë të krijojnë punë dhe vende pune”, theksoi kryetari i Kuvendit, duke shtuar se politikat ekonomike, ato fiskale dhe tatimore, duhet t’i shërbejnë zhvillimit të ekonomisë vendore prodhuese, përpunuese dhe me prioritet promovuese dhe plasuese në tregun tonë dhe me gjerë.

Veseli tha se nevoja e bashkëpunimit me tregje regjionale është domosdoshmëri strategjike, si interes reciprok dhe avantazh regjional. Sa i përket bashkëpunimit ekonomik Kosovë- Shqipëri, ai tha duhet thelluar me vepra dhe jo me fjalë.

Hezitimet e pakuptimta, pengesat burokratike reciproke, moszbatimi në praktikë i marrëveshjeve mes dy vendeve, shtoi kryetari i Kuvendit, janë evidente dhe kjo nuk mund të mbulohet me organizime të përbashkëta të qeverive përkatëse dhe retorikën e vëllazërisë kombëtare.

“Këmbimet tregtare duhet të shumëfishohen në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Partneritetet biznesore Kosovë- Shqipëri janë mundësi e mirë për të ndërtuar kompani të fuqishme të cilat do të ngrisin fuqinë eksportuese të vendeve tona. Zhvillimi ekonomik është rruga e vetme për të kaluar nga një shoqëri që eksporton jashtë njerëz dhe para, në një shoqëri që eksporton produktet e saj, idetë inovative dhe shembullin e një shteti që funksionon”, tha Veseli.

“Zhvillimi ekonomik është përmbushje e lirisë dhe forcim i shtetit. Ky është shërbimi më i madh që të gjithë ne mund t’i bëjmë kombit tonë. Vetëm kur ta kemi përmbushur këtë shërbim do të kemi gjithë arsyet për t’u ndjerë patriot të vërtetë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Edhe kryetari Forumit Ekonomik Shqiptarë, Nagip Fejzi theksoi se ekonomia shqiptare duhet të jetë e unifikuar.