Arbëri

KDI: Deputetët sigurojnë qytetarët e Mitrovicës se pa njohje nuk do të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka organizuar sot një tryezë diskutimi në rajonin e Mitrovicës, në mes të deputetëve të Kuvendit të Kosovës: Blerta Deliu-Kodra, Glauk Konjufca, Dukagjin Gorani, Ahmet Isufi, Bilall Sherifi dhe Albert Kinolli dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe qytetarëve, njofton kumtesa e KDI-së, transmeton Koha.net.

Jeta Krasniqi nga KDI, në hapje të këtij takimi tregoi lidhur me rëndësinë dhe simbolikën e mbajtjes së këtij takimi pikërisht në Koshtovë, duke qenë se, sipas saj, marrëveshjet e deritanishme që janë arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, kanë prekur më së shumti banorët e kësaj zone. Ajo shtoi se KDI në vazhdimësi ka organizuar takime të tilla ndërmjet qytetarëve dhe deputetëve të Kuvendit, duke synuar gjithëpërfshirje, transparencë dhe llogaridhënie të këtij procesi.

Gjatë adresimeve hyrëse, deputetja Blerta Deliu-Kodra vlerësoi se miratimi i rezolutës lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi reflekton arritjen e një konsensusi të partive në pozitë dhe opozitë për një temë të rëndësisë të lartë shtetërore. Ajo ftoi partitë opozitare që të marrin përgjegjësitë institucionale, duke u bërë pjesë e dialogut, meqë, sipas saj, ikja nga përgjegjësia nuk i bën nder as qytetarëve por as klasës politike.

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, deklaroi që nevoja për konsensus ka degraduar në një klishe universale. Sipas tij, më i rëndësishëm se arritja e konsensusit është përmbajtja dhe kualiteti i procesit. Konjufca vlerësoi se ata nuk pajtohen me qëndrimin e pushtetit lidhur me këtë proces, dhe se Kosova, që nga qershori i vitit 2008, ka humbur në vazhdimësi nga proceset të cilat e kanë sfiduar shtetësinë e Kosovës. Ai ka deklaruar aktualisht se Presidenti dhe Kryeministri janë duke konkurruar me dy projekte, atë për korrigjimin e kufijve – që përkrahet nga Presidenti, dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe pa kompetenca ekzekutive, që po shtyhet para nga Qeveria. Sa i përket ekipit negociator, ai vlerësoi se delegacioni shtetëror vetëm do ta mbështesë presidentin Thaçi.

Dukagjin Gorani, nga grupi parlamentar i Partisë Socialdemokrate, u përgjigj në pyetjen se çfarë paralajmëron faza e re e dialogut, duke thënë se nga kjo fazë pritet të përmbyllë një proces të mundimshëm të një konflikti të ngrirë mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij. Në këtë proces, sipas tij, diskutimet duhet të zhvillohen në frymën se çfarë është e pranueshme për ne, dhe jo vetëm çfarë ne kundërshtojmë.

Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, po ashtu rikonfirmoi qëndrimin se procesi i stërzgjatur i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë. Ai njoftoi se draft-marrëveshja e paraqitur nga kryeministri Haradinaj ka gjithsej 16 kapituj, të cilat do të diskutohen si tema gjatë bisedimeve. Ai paralajmëroi sanksione tjera ndaj Serbisë, nëse kjo e fundit nuk përmirëson sjelljen e saj karshi shtetit të Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, konstatoi se të gjitha partitë politike në Kosovë janë kundër opsionit të ndarjes. Ai shtoi se do të ishte e dëshirueshme që rolin e njëjtë me PSD-në ta marrë edhe LDK-ja dhe LVV-ja, pasi që procesi i dialogut është i pashmangshëm. .

Në këtë takim, mori pjesë edhe shefi i grupit parlamentar 6+, Albert Kinolli, i cili ofroi përkrahjen e plotë të komuniteteve tjera jo-shumicë për procesin aktual të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ai shprehu besimin në ekipin negociator për arritjen e një traktati ligjërisht obligues, që do t’i hapë rrugë Kosovës drejt anëtarësimit në mekanizmat ndërkombëtare, duke shtuar se rezultat i vetëm i bisedimeve duhet të jetë njohja reciproke mes dy vendeve.

Qytetarët ngritën shqetësimet e tyre lidhur me çështjen e kthimit të shqiptarëve në pronat e tyre në veri, përfaqësimin e interesave të shqiptarëve të veriut në dialog dhe kushteve më të mira të jetesës. Ata kërkuan më shumë informacione edhe lidhur me përbërjen dhe funksionimin e ekipit negociator, posaçërisht në raport me rolin e presidentit të Kosovës. Kurse, sa i përket dy opsioneve të cilat u thanë se janë në diskutim, ai për korrigjimin e kufijve dhe krijimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive, qytetarët kërkuan të dinë se a ka opsione të ndërmjetme të cilat do të propozohen nga pala kosovare.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës deklaruan në fund se platforma mbi dialogun do të bëhet në konsultim me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe me qytetarët e vendit.

Takimi është zhvilluar në kuadër të projektit “Perspektiva Evropiane – ndërtimi i konsensusit kombëtar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” që përkrahet nga Ambasada Zvicerane në Prishtinë, dhe Memorandumit të Mirëkuptimit me Kuvendin e Kosovës.