Arbëri

Suedia përkrah Ekipin Negociator të Kosovës për dialog

Përfaqësuesi i Suedisë në Këshillin e Sigurisë të OKB-së ka shprehur përkrahje për Ekipin Negociator të Kosovës për dialog me Serbinë.

Ai ka inkurajuar që në këtë ekip të bashkohen edhe gratë, përfshirë ato nga shoqëria civile.

Përfaqësuesi i Suedisë ka thënë se çështja e formimit të Ushtrisë së Kosovës është çështje e shtetit të Kosovës, ndërsa u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të vazhdojnë dialogun, pasi kjo është me rëndësi edhe për sigurinë e rajonit.

Gjatë fjalimit të tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, diplomati suedez bëri thirrje që formimi i ushtrisë së Kosovës në vjetët e ardhshme të jetë transparent, ndërsa shtoi se bashkësia ndërkombëtare duhet të fokusohet në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse në këtë proces.

Ai tha se veprimet e fundit të Kosovës dhe Serbisë nuk ishin të duhura, dhe bëri thirrje që dialogu të vazhdojë pasi është me rëndësi për sigurinë e rajonit.

“E ardhmja e Kosovës dhe Serbisë është në BE dhe mesazhi ynë është që Prishtina dhe Beogradi të tregohen konstruktive në dialog”, pohoi ai.