Arbëri

Nga 30 ditë paraburgim të dyshuarve për vrasjen e Ivanoviqit, Prokuroria thotë se ka prova

Është vërtetuar masa nga një muaj paraburgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për tre të dyshuarit për pjesëmarrje në vrasjen e liderit serb, Oliver Ivanoviq.

Kjo pasi Gjykata e Apelit kishte kërkuar arsye shtesë nga Themelorja për vendimin për paraburgim, raporton KTV.

Seanca për rivendosjen e masës së paraburgimit ndaj Nedeljko Spasoviqit, Marko Rosiqit dhe Dragisha Mirkoviqit, ka qenë e mbyllur për mediat.

Mbyllja e seancës është bërë me arsyetimin se seancat dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës së paraburgimit janë të mbyllura, mirëpo kjo nuk definohet saktë në Kodin e Procedurës Penale në fuqi.

Tre avokatët e të pandehurve kanë akuzuar sistemin e drejtësisë në Kosovë duke e quajtur atë një turp juridik.

Me një gjë të tillë është pajtuar edhe avokati Negovan Saranoviq. Sipas tij, prokurori Special nuk ka asnjë fakt ndaj të dyshuarve, në mënyrë që ata të vazhdojnë të mbeten në paraburgim.

Në procesverbalin e siguruar nga KTV-ja, prokurori Special, Sylë Hoxha, potencohet të ketë theksuar se të tre të pandehurit janë të involvuar direkt në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, duke funksionuar në tërësi si grup i organizuar kriminal.

Sipas prokurorit, i akuzuari tjetër, Marko Rosiq, e kishte përcjellë të ndjerin Ivaonviq me veturën e tij, një gjë e tillë është vërtetuar me fotot e gjetura në telefonin e tij.

Ndërkaq, i pandehuri tjetër, Dragisha Markoviq, kishte qenë në detyrë zyrtare, shumë afër vendit të ngjarjes dhe pas vrasjes, ka kontaktuar me një zyrtar policor në Serbi, i cili e kishte urdhëruar të marrë gëzhojën nga vendi i ngjarjes.

Sipas Prokurorit Special, Sylë Hoxha, i njëjti është larguar nga vendi i ngjarjes pa e përfunduar ekzaminimin e vendngjarjes, edhe pse për një gjë e tillë ka qenë i obliguar sipas detyrës zyrtare.