Arbëri

Personat e verbër kërkojnë sinjalizim të transportit nëpërmjet zërit

Descriptive Text

Shoqata e Transportit rrugor të udhëtarëve në mbledhjen e saj sot ka shfaqur disa shqetësime të tyre për problemet në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, lidhur ngritjen e çmimit të peronizimeve.

Për të cilën, kryetari kësaj Shoqata Ruzhdi Kurtishaj, ka kërkuar ulje të çmimit, si në transportin ndërkombëtar dhe ndërurban.

Transportuesit kanë thënë se ngritja e çmimit prej 50 cent deri 6 euro për peronizime, është mjaft e lartë. Po ashtu është kërkuar të zbatohet Udhëzimi administrativ për personat me aftësi të kufizuara.

Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të personave të verbër, ku me këtë rast Halil Kurmehaj nga Shoqata e të Verbërve ka shprehur disa shqetësime sa përket transportit të udhëtarëve për këtë kategori.

Kurmehaj tha se ka pasur raste kur janë larguar nga autobusi dy të verbër, burrë dhe grua në relacionin Prishtinë-Ferizaj.

“Ne po kërkojmë që një problem i tillë të rregullohet dhe të mos ndodhë më. Ne kërkojmë që nga java e parë e janarit të sinjalizohet transporti nëpërmjet zërit. Komuniteti i personave të verbër kërkon të merren masa, sepse ka mundësi të zbatohet Udhëzimi administrativ”, tha ai, përcjell KosovaPress.

Ruzhdi Kurtishaj nga Shoqata e Transportuesve Rrugor të Udhëtarëve, ka thënë se kjo kërkesë për sinjalizim të zbatohet dhe të zgjidhen të gjitha problemet e udhëtarëve, veçmas kategoritë e njerëzve të verbër.

Edhe Idriz Selimi zëvendësministër i Infrastrukturës, ka thënë se kategoritë e personave të verbër duhet të mbështeten në të gjitha format që ta kenë një jetë më lehtë. Selimi ka thënë se nga java e parë e janarit duhet të nisë kërkesa për sinjalizimin e transportit nëpërmjet zërit.