Arbëri

Molliqaj: VV e LDK nuk duan zgjidhjen e problemeve, por ardhjen në pushtet

"Ushtimë" e ka titulluar një reagim të tij, deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, që merret kryesisht me Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen.

Sipas tij “punësimi e drejtësia, arsimi e shëndetësia, ndalja e Thaçit me hapa konkretë, të gjitha këto prisnin, ama organizimi i kotë i protestës së 29 shtatorit, thjeshtë për t´i demonstruar kundërshtarëve politikë që ende janë të fortë, që rezultoi pa efekt, ishte çështje urgjente”.

“Për ‘Idealistët’ qenka më e rëndësishme të bëjnë ushtimë, se sa ta mënjanojnë të keqën që e kërcënon Republikën. Idealistët që kërkojnë në çdo rast të bëjnë ushtimë pa arsye, rezultojnë ta kenë idealizmin maskë prapa së cilës fshihet dëshira dhe etja e tyre për pushtet”, ka thënë Molliqaj.

Molliqaj ka shtuar tutje se “dëshira e VV-së për të qenë së bashku me LDK-në zgjidhja e problemit, që e bëri të pashmangshme rezolutën e PSD-së, tregon veç që qëllim nuk e kanë zgjidhjen e problemit, por ardhjen në pushtet”.

“Ardhjen në pushtet duke i përdorur shkaktarët e problemit si vegël dhe Isa Mustafa duke e heshtur vazhdimisht faktin që ai e bëri Thaçin President po përpiqet t´ia lehtësojë Albin Kurtit bashkëpunimin me të, për mos të thënë përdorimin apo shfrytëzimin e tij dhe për ta hutuar opinionin publik ata vazhdojnë dhe ushtojnë”, ka thënë Molliqaj, përcjell Koha.net. “Që gjithë kjo ushtimë është e orkestruar nga vetë kryetari i VV-së dhe megallomania e tij e tregon postimi i tij i fundit në të cilin e dëshmon paranojën e tij që kinse të gjithë qenkan nën një jorgan që punon kundër dëshirës së tij për të ardhur në pushtet dhe e sjell në pah kompleksin e tij hyjnor se kinse ky po e ditka kush do të bëhet deputet apo kryetar komune”, ka shtuar më tej.