Deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Ilir Deda, ka komentuar ofertën që BE-ja i ka bërë Kosovës, në këmbim të heqjes së taksës 100 për qind për importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Ka thënë se rrjedhimisht ajo s’është kurrfarë oferte.
“Oferta e znj. Mogherinj ‘ju (Kosova) suspendoni taksën 100%, ne (BE-ja) ju avancojmë nga UNMIK në Kosovo*’ në CEFTA është çdo gjë tjetër përpos një oferte”, ka thënë Deda.
një letre të përbashkët të përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, komisionerja për tregti Cecilia Malmstrom dhe komisioneri Johannes Hahn i janë drejtuar kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, duke thënë se ofrojnë mes tjerash që emërtimi “UNMIK” në CEFTA të zëvendësohet me “Kosova*”. Por kërkojnë që, si shenjë e vullnetit të mirë, para të hënës 17 dhjetor, kur në Bruksel zhvillohet takimi i Këshillit të MSA-së, Kosova përkohësisht të suspendojë zbatimin e vendimit për tarifën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Deda ka shkuar një hap përtej, duke qenë pikërisht Mogherini dhe BE-ja lehtësuese në dialogun e Kosovës me Serbinë.
“NËSE faza finale e dialogut me Serbinë bëhet për njohje të Republikës së Kosovës, atëherë për çfarë ‘avancimi’ nga UNMIK drejt Kosovo* po flasim?
NËSE faza finale e dialogut është për fqinjësi të mirë ndërmjet DY shteteve, që i zgjidhin ‘të gjitha çështjet e hapura’ me marrëveshje ndërkombëtarisht obligative ligjore, atëherë Kosovo* do të hiqet nga përdorimi. E edhe UNMIK-u”, ka thënë Deda, përcjell Koha.net. “Rrjedhimisht, nga Brukseli nuk ka kurrfarë oferte”, ka shtuar më pas.
-
16 dhjetor 2018 21:33
-
Shpërndaje në: