Cilat rrugë janë të kalueshme e cilat kanë probleme, tregon MI-ja

Marigona Hajdaraj 16 dhjetor 2018 19:32

Rënia e borës e ka vështirësuar kalimin nëpër rrugët e Kosovës.

Megjithatë, të gjitha rrugët në vend janë të kalueshme.

Ministria e Infrastrukturës njofton se vështirësi qarkullimi ka në rrugët e Prevallës, Rugovës dhe Bajgorës, raporton KTV.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ministri Pal Lekaj ka kërkuar kujdes më të shtuar nga ngasësit e veturave.

“Në orët e para të mëngjesit jam informuar nga të gjithë menaxherët rajonalë se kompanitë e kontraktuara janë duke punuar në pastrimin e rrugëve nga bora. Si rezultat, qytetarë të dashur, këtë të diel mund të lëvizni lirshëm”, ka thënë Lekaj.

Edhe Komuna e Prishtinës njofton se pastrimi i rrugëve ka vazhduar gjatë tërë ditës.

Ndërsa, thirrje për kujdes të shtuar ka bërë edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Pastrimi i rrugëve për t’i bërë të kalueshme është bërë tërë natën dhe vazhdon edhe tani. Edhe më tutje, ju lusim për qarkullim të kufizuar me vetura dhe për kujdes në vozitje”, ka thënë Ahmeti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme