Arbëri

Kabineti i Haradinajt i përgjigjet BE-së për heqjen e taksës

Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshi, ka reaguar pas propozimit që e bëri Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, Komisionerja për tregti Cecilia Malmstrom dhe Komisioneri Johannes Hahn, që të hiqet taksa 100 për qind nëse Kosova do që në CEFTA, të hiqet emërtimi “UNMIK” e të zëvendësohet me “Kosova*”.

Matoshit thotë se taksa hiqet vetëm kur Serbia e njeh këtë entitet juridik- politik dhe pavarësinë e Kosovës.

LEXO EDHE: BE letër Haradinajt: Suspendoni deri të hënën tarifën ndaj Serbisë, ne ofrojmë zëvendësimin e emërtimit UNMIK me Kosovo*

Thotë gjithashtu se kryeministri Haradinaj e ka bërë të qartë për miqtë dhe armiqtë e Republikës se “17 shkurti nuk preket as nuk negociohet!”

“Kryeministri Ramush Haradinaj po ia kthen Kosovës identitetin e 17 shkurtit, të dâmtuem nga brenda e të defiguruen nga jashtë. Letra e Federica Mogherinit, që thërret Prishtinën zyrtare, për një pakt kompromisi, në thelb është edhe një ftesë për ma pak pavarësi karshi BE-së, e cila nuk e njeh pavarësinë e shpallur të vendit tonë dhe kjo nuk është as ofertë për kompromis edhe pse në Kosovë askush nuk ka të drejtë dhe nuk do të bëjë kompromis me 17 shkurtin. Me sovranitetin dhe tërësinë tokësore të saj. Pra, kosovarët janë shumë europianë, aq sa nuk bëjnë pazare me pavarësinë e tyre kombëtare. CEFTA-n e ka nënshkruar UNMIK-u në emër të Kosovës, e cila tash është një entitet i pavarur juridik-politik, i patjetërsueshëm dhe i pazhbëshëm si subjekt i të drejtës ndërkombëtare”, ka shkruar Matoshi.

Koha.net ka kontaktuar edhe me Donjeta Gashin nga zyra për media e kryeministrit Haradinaj, e cila ka thënë se “Nuk komentojmë letrën as përmbajtjen e saj, megjithatë, Qeveria mbetet në qëndrimin e saj se taksa për mallrat nga Serbia e BeH, hiqet kur Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës”.