Strehimorja për viktimat e dhunës në familje rrezikon të mbyllet Foto: Ilustrim/Koha - Zana Hamiti

Strehimorja për viktimat e dhunës në familje rrezikon të mbyllet

16 December 2018 12:58

Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, në mungesë të fondeve dhe të licencës ishte mbyllur nga nëntori i vitit 2016, por , ndonëse u hap në qershorin e këtij viti, fati i funksionimit të saj po vazhdon të jetë në rrezik.

Kjo pasi Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, këtë institucion social e ka mbështetur vetëm për 8 muaj, nga qershori deri në fund të këtij viti. Këtë e ka konfirmuar drejtoresha e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, Zana Hamiti.

Sipas saj tani ky shërbim social është mbështetur 50 për qind nga MPMS-ja, kurse pjesa tjetër mundësohet nga donatorët e ndryshëm.

“Projekti prej Ministrisë për Punës dhe Mirëqenie Sociale përfundon në fund të dhjetorit, mirëpo po shpresojmë që do të hapet thirrja publike brenda muajit dhjetor që mos të kemi zbrazëtira ashtu siç është paraqitur vite më parë janari, shkurti, marsi me pas kriza të financave kuptohet në muaj në vijim duhet të aplikohet edhe nëpër projekte të donatorëve tjerë, mirëpo ne këtë vit jemi kyçur pak me vonesë puna e licencës”, thotë Hamiti për KosovaPress.

Hamiti thotë se nga qershori i këtij viti, kur edhe ka nisur punën ky institucion janë strehuar 49 persona.

“Deri më tani i kemi 49 raste, por për momentin janë të strehuara vetëm dy, mirëpo këtu numri nuk është konstant lëvizin brenda ditës mund të pranohen 5 deri 6 raste, mund të kalojmë nga një muaj në shifra tjera përsëriten rastet derisa të iu bëhet një zgjidhje e mundshme. Sipas rregullores sonë për leje qëndrimi mund të qëndroj prej 24 orëve deri në gjashtë muaj, mirëpo ne askënd nuk e largojmë pa iu bërë një zgjidhje adekuate, ndodh që rrinë edhe një vit apo dy vite”, thotë Hamiti.

Ajo tregon për shërbimet dhe procedurat deri tek strehimi i një viktime të dhunës në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve. Si sfidë të kësaj qendre e konsideron ndarjen e nënës nga fëmijët të gjinisë mashkullore pas moshës 12 vjeçare.

“Fillimisht rastet i paraqesin në Polici, dhe Policia apo punëtorët social i referojnë për strehim këtu tek ne, këtu punohet 24 orë. Gjatë asaj periudhe iu ofrohet akomodimi si pjesë e parë, iu lejohet reflektim prej 48 orësh, pastaj është pjesa tjerët ushqim, veshmbathje, mjete higjienike, shërbime shëndetësore, medikamente, këshillime juridike falas, këshillimet psiko-sociale, trajnime të ndryshme. Strehohen nënat me fëmijë, mirëpo çka e kemi një sfidë mund të themi se meshkujt vetëm deri në moshën 12 vjeçare i strehojmë puna e adoleshencës e jo po paraqet problem kur vjen puna tek ndarja e nënës nga fëmija”, thotë Hamiti.

Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale bëjnë me dije se kanë planifikuar shumë buxhetore për mbështetjen e strehimoreve në Kosovë, por që janë në pritje të aprovimit të buxhetit të vitit 2019 nga Kuvendi i Kosovës.

Ushtruesi i drejtorit të Departamentit të Politikave Sociale, Mentor Morina thotë se për këtë vit përmes një thirrje publike kanë mbështetur shumë OJQ, prej tyre QMGF-ja në Prishtinë për tetë muaj është mbështetur me gjithsej 20 mijë euro.

“Në kuadër të kësaj mbështetje ka përfituar mbështetje dhe QMGF në Prishtinë. Shuma e mbështetjes për 8 muaj për këtë vite ka qenë rreth 20,000 euro. Sa i përket mbështetjes për vitin 2019 kemi planifikuar një shumë të mjeteve buxhetore për mbështetje të gjitha Strehimoreve/Qendrave për Mbrojtje të Grave dhe Fëmijëve. Jemi në pritje të aprovimit përfundimtar të projekt buxhetit nga Kuvendi i Kosovës, për të hapur thirrjen publike për OJQ e licencuara dhe njëra prej komponentëve dhe objektivave do te jete mbështetja e Strehimoreve. Duhet theksuar se shërbimet sociale janë përgjegjësi vetanake e komunave andaj është obligim që Komuna të mbulojë shpenzimet për ofrimin e shërbimeve për mbrojtje të viktimave të dhunës në familje, me këtë rast edhe financimin apo mbështetjen e OJQ-ve”, thotë Morina.

Në këtë shkresë theksohet se komuna e Prishtinës është e obliguar që të mbulojë shpenzimet për ofrimin e shërbimeve për mbrojtje të viktimave të dhunës në familje, me këtë rast edhe financimin apo mbështetjen e OJQ-ve, e lidhur me këtë çështje KosovaPress ka tentuar të marr përgjigje nga komuna e Prishtinës por që këta të fundit nuk janë përgjigjur.

Me qëllim të ngritjes së vetëdijes si dhe nxitjen e veprimeve për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave në Kosovë ka filluar fushata “16 ditë të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”, e cila shënohet çdo vit në mbarë botën, duke filluar më 25 nëntor, Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Kundër Grave dhe vazhdon deri më 10 dhjetor, Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Ndryshe, Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë (QMGF), është e themeluar në vitin 1993, ndërsa nga vitit 1999 e deri më tani në këtë strehimore kanë gjetur strehë mbi 1400 viktima të dhunës në familje.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme