Hoxha: Korrupsioni dhe barrierat nga pala maqedonase rëndojnë bizneset kosovare

Hoxha: Korrupsioni dhe barrierat nga pala maqedonase rëndojnë bizneset kosovare

16 dhjetor 2018 12:02

Drejtues të komunitetit të bizneseve nga Maqedonia kërkojnë që të mbahet një mbledhje e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë për unifikimin e doganave, për eliminimin e barrierave dhe korrupsionit të shkaktuara nga pala maqedonase në vendkalimin kufitar në Bllacë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Nebi Hoxha në një intervistë për KosovaPress ka thënë se bashkëpunimi ekonomik në mes shteteve të Ballkanit është në nivel të pamjaftueshëm.

Hoxha ka thënë se vendimi për taksat 100 për qind ndaj mallrave me origjinë nga Serbia rritë këmbimin tregtar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë. Këmbimi tregtar ndërmjet këtyre dy shteteve, është 217 me 29 milionë euro në vit, në favor të Maqedonisë.

“Faktori tjetër për mos funksionimin e bashkëpunimit të ndërsjellë janë barrierat e ndryshme, siç janë barrierat doganore, infrastruktura, korrupsioni dhe barrierat tjera të cilat e rrisin koston e produkteve. Ne si Odë Ekonomike, mbi dhjetë vite po bëjmë presion në Qeverinë e Maqedonisë që të hiqen barrierat për ndërtimin e infrastrukturës me Kosovën, ku Maqedonia në drejtim të Kosovës është në suficit ekonomik prej 217 milionë euro, në krahasim me 29 milionë euro, eksporti i Kosovës ndaj Maqedonisë”, thotë Hoxha.

Ai ka kërkuar nga autoritetet maqedonase dhe kosovare që të hapet një terminal doganor në Jazhincë, në pjesën kufitare në afërsi të Tetovës, e cila sipas tij, do të zvogëlonte koston e transportit. Kreu i OEMVP-së ka kërkuar po ashtu nga qeveria e Maqedonisë për krijimin e lehtësirave ndaj bizneseve që veprojnë në Maqedoni.

“Mbi 7 mijë kompani të Pollogut që janë me kapacitete prodhuese, janë me destinim kryesisht edhe në Kosovë. Një hapje e terminalit doganor në Jazhincë do të zvogëlonte koston e transportit dhe do të zvogëlonte edhe uljen e shpenzimeve të transportuesve. )Mendoj që me hapjet e terminaleve doganore, sidomos infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, janë problemet kryesore. Gjithashtu edhe unifikimi I pikave doganore në mes të Maqedonisë dhe Kosovës do të zvogëlonte koston dhe do të përshpejtonte qarkullimin e mallrave dhe të njerëzve”, thotë Hoxha.

Hoxha ka thënë se pa një dialog të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë, si dhe bizneseve, nuk mund të ketë përparim të ekonomisë dhe nuk mund të ketë promovim të prodhuesve vendor.

“Një takim i dy Qeverive, respektivisht të Maqedonisë dhe të Kosovës ishte i paralajmëruar jo më larg se para dy muajsh, dhe mendoj se një takim i tillë do të ishte jashtëzakonisht i mirëseardhur për bizneset. Mendoj se kyçja e Odave Ekonomike në këtë takim do të ishte me një rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh se gjithmonë kërkesa e bizneseve është në rritjen e bashkëpunimit dhe eliminimin e barrierave që janë ndër vite dhe nuk po zgjidhen. Mendoj se një mesazh direkt në një takim të tillë do të ishte jashtëzakonisht me një vlerë të veçantë”, thotë Hoxha.

Kujtojmë se më 26 nëntor u mbajt mbledhja e pestë e përbashkët e qeverive shqiptare për elidimin e barrierave në mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa me Maqedoninë nuk është mbajtur asnjë mbledhje edhe pse ishte premtuar një mbledhje e tillë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme