Arbëri

Tahiri i bindur se 2019-ta është viti i konfiskimit të pasurive dhe shkatërrimit të grupeve kriminale

Descriptive Text

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri është i bindur që gjatë vitit 2019 do të fillojë konfiskimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë dhe do të shkatërrohen grupet kriminale.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Tahiri u shpreh se është bërë avancim i ligjeve në sistemin e drejtësisë dhe që nga momenti që do të hyjnë në fuqi, gjyqtarët dhe prokurorët do të kenë instrumente për luftimin e korrupsionit dhe pasurisë së fituar jashtëligjshëm.

“Besoj që viti i ardhshëm të jetë më i fuqishëm në luftimin e këtyre dukurive sepse janë ngritur kapacitetet brenda gjyqësorit, prokurorisë, kemi bërë avancim të ligjeve. Mendoj që do të jetë prioritetit im që të konfiskohet pasuritë që janë fituar paligjshëm”.

“Në momentin që hyn në fuqi pas gazetës zyrtare sepse është çështje ditësh, dhe prokurorët dhe gjyqtarët kanë instrumente të veprojnë për zbatimin e këtyre ligjeve. Viti 2019 do të jetë vit që do të tregojmë suksese edhe më të mëdha në konfiskimin e pasurisë së paligjshme, në shkatërrimin e grupeve të krimeve, që janë marrë me haraç e fajde”, tha Tahiri.

Tahiri shton se është përmbushur, kushti i fundit për liberalizim të vizave, që është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sipas tij, ka një mekanizëm përcjellës ku janë vendosur rastet e shënjestruara për liberalizimi.

Sa i përket deklaratës së ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, se ligjet nuk mjaftojnë për luftimin e korrupsionit, por duhen veprime, në linjë me këto deklarime është edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Ai pohon se ishte shqetësim edhe i tij, se në Kosovë nuk është luftuar kënaqshëm korrupsioni dhe krimi i organizuar.

“Po të mos ishte shqetësimi dhe preokupim i ynë një luftë jo efikase për korrupsionin, nuk do të kisha marrë iniciativa për ndryshimin e këtyre ligjeve për luftën kundër korrupsionit. Ka qenë vlerësim i imi se RKS ka nevojë me ndërmarrë hapa në të gjitha komponentët e mundshme me e fuqizuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, tha Tahiri për EO.

“Të njëjtën shqetësim e kam nda dhe nuk kam ndenjur duarkryq dhe kamë ndërmarrë atë që është në kompetencën time. Si ministër jam përgjegjës për hartimin e politikave që lidhen për të luftuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe këto kanë qenë si iniciativa e një luftë të jo të mjaftueshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, pohoi ai.

Sa i përket Vettingut, kreu i drejtësisë në Kosovë, tha se vendi është në një proces të rishikimit funksional dhe të strategjisë se si mund të bëhet verifikimi i integritetit të punës së gjyqtarëve.

Tahiri thotë se nuk është përkrahës të kopjohen vendet e rajonit, siç është rasti i Shqipërisë.

“Jemi në një proces që është rishikimit funksional dhe strategjinë për këtë rishikim do ta kemi në qershorin ose korrikun e 2019 dhe ky proces do ta përcaktojë mënyrën se si do të ndodhë verifikimi i integritetit punës së gjyqtarëve dhe a do të ketë mekanizma të përhershëm që do të bëjnë një verifikim të tillë apo do të hyjmë në një proces siç është duke ndodhur në shtetin shqiptarë. Nuk jam përkrahës të kopjojmë shtetet e rajonit, por ne kemi nevoja tjera, sepse nëse hyjmë në këtë proces do të largohet vëmendja nga luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha Tahiri.

Sa i përket Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, Tahiri pohon se si ministër, nuk ka ndonjë informacion në lidhje me ftesat e ish pjesëtarëve të UÇK-së dhe funksionimit të Speciales.

“Republika e Kosovës e ka kryer një obligim karshi Special, është çështje e Prokurorisë e Gjykatës. Si person politik ata nuk më japin llogari për punën e tyre”, tha ministri Tahiri.

Si pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, Tahiri ka komentuar edhe kërkesën e opozitës që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Ai tha se nuk ka iniciativë të serioze për rrëzimin e Qeverisë nga ana e opozitës, derisa është i bindur se vendi nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Nuk ka asnjë iniciativë serioze nga opozita për mocion, këto parti kanë synim sa ta mbajnë të gjallë elektoratin e tyre, ata një gjë të tillë po e bëjnë por nuk janë të gatshëm për zgjedhje, kemi shumë procese që janë përpara”.

“PDK ka qenë përkrahëse e fuqishme për dialogun dhe arritjen e një marrëveshje me Serbinë dhe nuk do të lejojmë cenim të sovranitetin dhe jemi të vendosur mos të lejojmë asociacionin që të ketë kompetenca ekzekutive”, tha Tahiri.

Situatën në veri, Tahiri e quajti të normalizuar duke bërë të ditur që gjykatat në atë pjesë janë duke funksionuar pa probleme, përjashtim ditëve kur ishin të organizuara protestat e serbëve, çka bënë që sipas Tahirit të ketë pauzë dy orëshe në gjykata.