Haradinaj: Janë pjekur kushtet që Serbia të njohë Kosovën Foto: Koha / ilustrim

Haradinaj: Janë pjekur kushtet që Serbia të njohë Kosovën

15 dhjetor 2018 20:57

Viti 2018 e ka konsoliduar shtetësinë tonë, tre vendimet e fundit kanë qenë jetike për rrumbullakimin e pavarësisë sonë. Përmes këtyre janë pjekur kushtet që t’i japin mundësinë Kosovës që të arrijë atë që i ka munguar që dhjetë vite, njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kështu ka thënë kryetari i AAK-së dhe njëkohësisht kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin përmbyllës të fundvitit që ka organizuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Haradinaj u shpreh se gjërat tani më kanë ndryshuar për Kosovën.

“Ne e përmbyllim këtë vit të konsoliduar. E para, me një proces që na ka mbajtur shumë peng, që është dialogu, i kemi marr dy vendime, që të dyja na forcojnë. Kemi marr vendimin e taksës 100 për qind që na jap fuqi në tavolinë. Njëkohësisht kemi marr vendimin e përfaqësimit tonë si Kosovë, e jo të shkojmë individualisht. Taksa dhe oferta që kemi qitë në tavolinë me delegacion sot, ju siguroj që i hap atë mundësi Kosovës që i ka munguar që dhjetë vjet, pra mundësinë që më në fund në tavolinë të arrihet një marrëveshje obligative, ligjore, për njohje mes Kosovës dhe Serbisë, pra janë pjekur këto kushte”, deklaroi Haradinaj, raporton Kosovapress.

Ushtria, sipas Haradinajt, është po ashtu një arritje e madhe, siç thotë ai, përmes saj është përmbyllur shtetësia e Kosovës.

Ndërsa, në lidhje me vizat, tha se kemi një telashe për BE-në, pasi është dashur të udhëtohet lirshëm tashmë. Haradinaj pohoi se populli i Kosovës e meriton dhe ka të drejtë të lëvizë brenda zonës Schengen.

Ndërsa, për Gjykatën Speciale, shtoi se askush nuk do të turpërojë veten, të gjithë kokë-lartë t’i përgjigjën çfarëdo ftese.

“Ne po dëshirojmë të anëtarësohemi në BE, t’i takojmë familjes e popujve në BE. Por e kemi një telashe me ta, na ka dhënë një kontratë, plotësoni këto kushte, ne ju japin liberalizimin. Ne është dashur të udhëtojmë lirshëm tash, ose më 1 janar. Por, po ndodh e kundërta, prej BE-së po vijnë ftesa, por për ushtarët e UÇK-së, për ata që e kanë sjellë lirinë, të shkojnë në gjykata. Kosova nuk e turpëron veten as këtë rast. Nuk jemi turpëruar në gjykatat e UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës, as të EULEX-it, asnjë pjesëtar i luftës nuk e turpëron veten, do t’i përgjigjet drejtësisë. Por, kemi dhe diçka; popullin e kemi të izoluar: a bën këtij populli që i kërkohet dhe një filtër i drejtësisë, t’i jepet respekti i duhur, t’i jepet liberalizimi”, shtoi kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj.

I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj tashmë ka hyrë në vitin e dytë të tij qeverisës, dhe për këtë arsye ai u shpreh falënderues ndaj partnerëve të koalicionit.

Po ashtu, theksoi se janë të gatshëm çdo herë për zgjedhje të reja.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme