Haradinaj, draft-librin e bisedimeve ua dorëzon vendeve të Quintit dhe zyrës së BE-së

Luljeta Beselica 15 dhjetor 2018 19:14

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, këtë të shtunë ishte shumë aktiv.

Në prag të mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme për miratimin e rezolutës së PSD-së për dialogun me Serbinë, Ramush Haradinaj ishte i pari i cili u deklarua për media, duke shfaqur shpresën për një pajtim mes grupeve parlamentare, mirëpo, sipas tij, duhet pritur se a do të mundet koalicioni qeverisës të kryejë gjatë ditës së sotme këtë votim, raporton KTV.

Megjithatë, ai ka thënë se është në interes të vendit që të votohet kjo rezolutë.

Sipas Haradinajt, duhet vepruar sa më shpejt, pasi Serbia po krijon avantazhe, duke i shfrytëzuar vendimet e Kosovës për t’u arsyetuar se ajo nuk po investon në dialog.

Haradinaj foli dhe për rolin e presidentit Thaçi, ku tha, se, detyrat e tij, në dialog janë kushtetuese, mirëpo, tashmë me votimin e kësaj rezolute, parlamenti ka primatin.

Ai ka thënë se varësisht se kush do të shkojë në dialog, Qeveria do ta pajisë ekipin negociator me material të cilin e kanë përgatitur.

Kryeministri thotë se në mbledhjen e ardhshme të qeverisë, do ta prezantojë draft-librin e madh me kapituj, të cilin ai po e quan bazë të fortë institucionale për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, legalisht obligative me Serbinë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që dialogu me Serbinë të vazhdojë dhe se tani është koha që ky dialog të finalizohet, duke respektuar kushtetutën, sovranitetin dhe integritetin e vendit. Dialogu është detyra e radhës për ta përfunduar konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe ngjashëm, si për temat e mëdha të vendit, edhe këtu na duhet një unitet i plotë”, ka shkruar Haradinaj në facebook.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme