Sqarohet Sejdiu: Nuk e ofendova unë Shalën por ai mua Foto: Ilustrim/Koha

Sqarohet Sejdiu: Nuk e ofendova unë Shalën por ai mua

15 December 2018 15:06

Shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, është sqaruar për atë që ndodhi sot në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, mes tij dhe Kujtim Shalës nga LDK-ja, njëherësh nënkryetar i Kuvendit.

Lexo edhe: Sejdiu e Shala përplasen në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit

“Ndjej obligim si deputet në Kuvendin e Kosovës, të sqarohem për atë që u raportua sot në media, si “përplasje” midis meje dhe deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Kujtim Shala, në mbledhjen e sotme të kryesisë së Kuvendit të Republikës. E vërteta është që unë nuk kam shprehur asnjë fyerje ose ofendim ndaj z.Shala. Pasi ngriti çështje procedurale, z.Shala kulmoi përnjëherë me të fyera dhe ofendime ndaj meje. Sigurisht që nuk lëshohem në nivel të tillë të të shprehurit. Madje jam shumë i befasuar me gjuhën e z. Shala, që është edhe ligjërues universitar. Ndonëse nuk e kuptoj ende përpjekjen e z.Shala për t’iu shmangur mekanizmave institucionale, kur partia e tij thirret vazhdimisht në institucionalizëm; sjellja e sotme e z. Shala ka prirje ta kuptimësojë edhe sjelljen e LDK-së, gjatë gjithë kësaj kohe, që çdo ditë e më pak përkon me frymën e parlamentarizmit”, ka shkruar Sejdiu.

Koha.net ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Shala, porse ai nuk e ka hapur telefonin, madje ende s’është deklaruar askund.

“Duke besuar se pluralizmi dhe demokracia janë vlerat që i synojmë si shoqëri dhe si subjekte politike në Kosovë, e duke respektuar të drejtën e çdokujt për ta përzgjedhur gjuhën dhe sjelljen e tij në jetën publike, ftoj z.Shala e çdo kolegë tjetër, për diskutime etike dhe përmbajtësore, për të gjitha çështjet që janë në shërbim të interesit të përgjithshëm”, ka përfunduar shkrimin në Facebook Dardan Sejdiu.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme