KOHA i qëndron prapa artikullit për tenderin në KPK, reagimin e saj e konsideron ndërhyrje në fjalën e lirë

KOHA i qëndron prapa artikullit për tenderin në KPK, reagimin e saj e konsideron ndërhyrje në fjalën e lirë

15 December 2018 14:57

Sqarim i Grupit Koha ndaj reagimit të Sistemit Prokurorial për shkrimin në Koha Ditore me titull “Këshilli Prokuroial i jep tender kompanisë e cila nuk mund t’i paguajë punëtorët”.

Sqarimi i Sistemit Prokurorial të Kosovës kinse nuk e kanë dhënë tenderin për kompaninë e cila sipas Organit Shqyrtues të Prokurimit nuk mund t’i paguajë punëtorët është plotësisht i paqëndrueshëm.

Përmes këtij reagimi sistemi prokurorial ka thënë se “kontrata nuk është nënshkruar” gjë të cilën e ka thënë edhe gazeta. Por gazeta dëshiron të sqarojë opinionin publik se është Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), i cili e ka vlerësuar si të jashtëligjshëm njoftimin për dhënie të kontratës kësaj kompanie nga KPK.

Pra nuk qëndrojnë pretendimet se KPK-ja nuk e ka zgjedhur si fituese këtë kompani por është OSHP-ja ajo e cila e ka hedhur poshtë këtë vendim.

Sistemi Prokurorial po ashtu pretendon se kompania e përzgjedhur e plotëson kriterin e çmimit si dhe mund t’i paguajë punëtoret me tenderin që merr. Një gjë e tillë është hedhur poshtë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. Në vendimin e këtij organi, konkretisht në faqen 6 thuhet se Këshilli Prokurorial i Kosovës përkundër që është urdhëruar nga OSHP-ja për të bërë analizën e çmimeve nuk e ka bërë një gjë të tillë.

“Prokuroria e Shtetit me rastin e rivlerësimit të ofertave nuk e ka respektuar në tërësi vendimin paraprak të Organit Shqyrtues të Prokurimit të datës 12 shtator 2018, ku në faqen 5 të këtij vendimi Paneli Shqyrtues ka konstatuar se Autoriteti Kontraktues me rastin e rivlerësimit të ofertave duhet ta vërtetojë saktë se operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë a mund t’i përmbushë të gjitha obligimet me çmimet e ofruara, si dhe të vërtetojë dhe të kalkulojë se a mundet t’i paguajë punëtorët me çmimet e ofruara”, thuhet në faqen 6 të këtij vendim.

Për më tepër OSHP-ja e rithekson se ekziston edhe një vendim i mëhershëm i OSHP-së për Këshillin Prokurorial për këtë çështje, i cili nuk është respektuar. Si dhe ia rikujton në fund KPK-së se vendimet e OSHP-së janë obligative dhe si të tilla KPK-ja është e obliguar t’i respektojë.

Të bashkangjitur e gjeni vendimin e OSHP-së i cili konfirmon plotësisht çdo gjë që është thënë në tekst. Sa për sqarim kur nuk shkelje OSHP-ja e aprovon njoftimin për dhënie të kontratës të institucionit publik e nuk e kthen mbrapsht procesin siç ka bërë dy herë radhazi për këtë tender.

Krejt në fund, gazeta “Koha Ditore” e konsideron sulm ndaj gazetares dhe mediumit tonë, gjuhën që e përdorë Sistemi Prokurorial në reagimin e vet. Është e papranueshme mënyra si Sistemi Prokurorial e merr të drejtën të gjykojë dhe dënojë punën e gazetarëve dhe medias.

Derisa gazeta kategorikisht i hedh poshtë të gjitha akuzat e shprehura në reagim, ne duam edhe të ngremë zërin kundër këtij presioni dhe kërcënimi që i bëhet lirisë së shtypit dhe fjalës.

KOHA


Lexo edhe: Këshilli Prokurorial i jep tender kompanisë e cila nuk mund t’i paguajë punëtorët


Reagimi nga Sistemi Prokurorial i Kosovës

Prishtinë, 15 dhjetor 2018 – Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Prokurori i Shtetit sqaron opinionin lidhur me shkrimin e botuar sot në gazetën e përditshme “Koha Ditore” faqe 4, me titull: “Këshilli Prokurorial i jep tender kompanisë e cila nuk mund t’i paguajë punëtorët”.

Ju njoftojmë se ky tender ende është në procedurë të ri-vlerësimit nga Divizioni i Prokurimit në kuadër të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, që do të thotë se ende nuk është marrë vendim përfundimtar që e përcakton fituesin e tenderit.

Po ashtu, ju njoftojmë se në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë nuk është kërkuar nga operatorët ekonomik bërja e një analize lidhur me pagesat e stafit.

E në bazë të Ligjit të Prokurimit neni 59, paragrafi 4, thekson se “Autoriteti kontraktues do të konsiderojë një tender si të përgjegjshëm vetëm nëse tenderi në fjalë është në përputhshmëri me të gjitha kërkesat e parashtruara në njoftimin e kontratës dhe në dosjen e tenderit”.

Pavarësisht se nuk është kërkuar në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë nga operatorët ekonomik bërja e një analize lidhur me pagesat e stafit, duke u nisur nga vendimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP), Divizioni i Prokurimit në kuadër të Sekretariatit të Këshillit Prokuroril të Kosovës, ka kërkuar nga Operatori Ekonomik, i rekomanduar për kontratë një deklaratë se me çmimin e ofruar mund ti kryej të gjitha obligimet ndaj punëtorëve. Operatori në fjalë i është përgjigjur shkresës dhe është zotuar se do t’i respektoj të gjitha ligjet në fuqi që kanë të bëjnë me të drejtat e punëtorëve, dhe do të zbatoj pikën 1.1 të vendimit të Qeverisë nr.04/33 të datës 17.08.2011, për pagën minimale në nivelin nacional.

Gjithashtu, njoftojmë opinionin publik se institucioni i Prokurorit të Shtetit, asnjëherë nuk është marrë me vlerësimin e ofertave dhe me procedurat e prokurimit. Kjo është në kompetencë ekskluzive të Sekretariatit të KPK-së, të cilën gjë shumë mirë e din autorja e shkrimit, pasi që e njëjta gazetare e përcjell veprimtarinë e Sekretariatit, të KPK-së dhe të Prokurorit të Shtetit. Mirëpo e njëjta me kujdes i keqprezenton faktet duke pasur qëllim të ultë për të krijuar bindjen që institucioni i Prokurorit të Shtetit i vlerëson ofertat e operatorit ekonomik dhe vendos në procedurat e tenderimit.

Një dezinformim i tillë i opinionit është bërë edhe para disa ditëve, me keqdashje nga ky medium, duke njoftuar opinionin se Kryeprokurorit të Shtetit i është rritur rroga, gjë e cila nuk ka qenë e vërtetë dhe më vonë është demantuar.

Andaj, kërkojmë nga mediat që mos të publikojnë shkrime të pavërtetuara, që kanë të bëjnë lidhur me sistemin prokurorial, pasi që publikimi i çdo lajmi të pakonfirmuar konsiderohet tendencioz ndaj sistemit prokurorial.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme