Arbëri

Norvegjia do që ndërkombëtarët të mos nguten me qëndrime rreth dialogut

Faza e fundit e dialogut Kosovë-Serbi, filloi me idenë e korrigjimit të kufirit e propozuar nga presidenti Hashim Thaçi, gjë që ngjalli tensione në vend dhe arenën ndërkombëtare.

Disa nga aleatët ndërkombëtarë deklaruan se mbështesin çdo ide që dërgon në normalizim të marrëdhënieve e disa të tjerë qëndruan neutral sa i përket kësaj çështje.

Mirëpo ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad, ka thënë për Ekonomia Online se faktori ndërkombëtarë duhet të jetë i kujdesshëm në qëndrimet e tyre rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe se duhet t’i lënë ata vetë që të gjejnë zgjidhjen përfundimtare.

Ai tutje ka shtuar se Norvegjia nuk ka ndonjë qëndrim lidhur me idenë për korrigjimin e kufijve mes këtyre dy vendeve, mirëpo që normalizimi i marrëdhënieve do të hapë dyert për të dyja vendet.

“Më lejoni fillimisht të them se përpjekjet për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë janë shumë të rëndësishme, kur arrihet një marrëveshje përfundimtare do të hapë shumë dyer për Kosovën që të marrë pjesë në bashkëpunim evropian dhe internacional, dhe kjo do të ketë efekt shumë pozitiv për shoqërinë kosovare në përgjithësi. Unë besoj komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë një hap prapa dhe të jetë më i kujdesshëm të thonë ndonjë gjë se cila duhet të jetë zgjidhja”.

“Mendoj që është e rëndësishme t’u japin palëve fleksibilitet që të gjejnë zgjidhjen vet. Natyrisht komunitetit ndërkombëtar duhet t’i ndihmojë në këtë proces, por Kosova dhe Serbia duhet të jenë në rolin kryesor. Norvegjia nuk ka ndonjë qëndrim lidhur me korrigjimin e kufijve, ne natyrisht duhet të japim ndihmën tonë në fleksibilitetin dhe të provojmë që ato ta arrijnë vet zgjidhjen”, tha ai.

Image

Ambasadori Strand Sjaastad ka deklaruar se vendosja e taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës nuk i ndihmon dialogut derisa tha se shpreson që çështja e taksës dhe dialogut të jenë çështje të ndara.

“Është e vështirë të themi, kur i sheh reagimet nga Beograd në një raund të shkurt kjo nuk mund jetë ndihmë për dialogun. Shpresojmë që dialogu do të vazhdojë sa më shpejt që është e mundur, duke thënë këtë mendoj që është e rëndësishme gjithashtu të zgjidhet edhe çështja e tregtisë mes Kosovës dhe Serbisë dhe Bosnjës”.

“Ndoshta Kosova është në rrugën e duhur, sidomos pas vendosjes së barrierave jo tarifore në Serbi kundër eksportit të Kosovës dhe mendoj që është legjitime për Kosovën që të ngre këtë çështje por unë po shpresoj që këto do të jenë procese të ndara dhe që se prekin dialogun sepse këto tarifa kanë shkuar aq larg aq larg sa që unë mund të shoh që nuk është ndihmuese për vazhdimin e dialogut”.

Lidhur me dështimin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe mosliberalizimin e vizave ai tha se Norvegjia e mbështet fuqishëm hyrjen e Kosovës në Interpol.

Derisa për liberalizim ai tha se Kosova duhet ta luftojë krimin dhe korrupsionin në mënyrë që t’i bind vendet e unionit evropian që liberalizimi është zgjidhja e duhur, raporton EO.

“Është e vështirë për mua të them se çfarë ka shkuar gabim, por unë mund të them se unë dhe Norvegjia fuqishëm e mbështesim që Kosova të jetë anëtare e Interpol-it sepse ne mendojmë që kjo do të jetë shumë mirë për të luftuar krimin në Evropë dhe fatkeqësisht nuk mori mbështetje të mjaftueshme në Interpol, por mendoj që Kosova duhet të provojë përsëri dhe duhet të tregojë se vendi është partner i mirë për shtetet tjera në këtë fushë e edhe më gjerë, dhe do të arrij anëtarësimin”.

“Kur jemi tek liberalizimi i vizave siç e dimë të gjithë Kosova ka shkuar shumë larg në këtë rrugë dhe fatkeqësisht ishte e pamundur për Unionin Evropian ta marrin këtë vendim tani, por mendoj që e vetmja mundësi që Kosova ka është të vazhdoj të punojë në përmirësimin e rendit dhe ligjit të luftoj krimin e organizuar dhe jam i sigurt që në fund Kosova do ta marr liberalizimin e vizave në zonën e Schengenit në Evropë por mund të bëhet ende më shumë. Evropa ka shumë sfida në vete andaj mendoj që Kosova ti bind shtetet evropiane që gjëja më e mirë është që Evropa të ja jap Kosovës liberalizimin e vizave”, tha ai.