Arbëri

Haradinaj e sheh FSK-në partnere të NATO-s dhe të rajonit

Pas votimit të tri projektligjeve që i hapin rrugë FSK-së për t’u bërë ushtri, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha se kjo ushtri është e paqes.

Duke shtuar se si e tillë është në të mirën e të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë, pa marrë parasysh kombësisë.

“Kjo është ushtri e paqes se bjen paqe , është ushtri e shqiptarëve të Kosovës, e serbëve, turqve, boshnjakëve, ashkalive, egjiptasve, e goranëve, e të gjithëve që jetojnë në Kosovë. Njëkohësisht është partnere, e krejt ushtrive të rajonit dhe botës. Pra, vijmë në paqe, e për paqe do të jemi gjithnjë. Ushtria e Kosovës nuk është ushtri që e ka në doktrinë, pra me u kthy kundër popullit të vet, e serbëve të Kosovës. Si në jug, si në veri, janë njerëz të lirë, janë në shtëpinë e vet, janë të Kosovës. Ushtria e Kosovës kurrë nuk do të përdoret kundër tyre. Le ta harrojnë të gjithë që Kosova pra krijon doktrinë”, ka thënë Haradinaj.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi është ofruar afër zonës tokësore në mes kufirit të Kosovës dhe Serbisë, i cili ka deklaruar se aty do të qëndrojë tri ditë. I pyetur se a i sheh këto veprime si provokative , ai tha se ushtria e Serbisë, e ka fituar një partner, pra ushtrinë e Kosovës. Haradinaj u shpreh i bindur se në një të ardhme të afërt do shërbejnë së bashku, ushtarët e Ballkanit.

“Ju siguroj që asnjë pengesë më, edhe asnjë situatë nuk e vë në pikëpyetje më suksesin e FSK-së. Është me rëndësi ta kuptojmë çka do të thotë paqja, ne jemi të fundit që e kemi fituar paqen, por gjenerali Matiss, që është edhe sekretari i Mbrojtjes në Amerikë e ka një thënie të mirë: Nuk ka mik më të mirë se marinsat, por nuk ka edhe armik më të keq. Unë me të vërtetë mendoj që nuk ka mik më të mirë askush për paqe se FSK-në, armiqtë e paqes që nuk mendoj që kanë armik më të keq se sa FSK-në’, tha Haradinaj.

Ai ka folur edhe për aspektin buxhetor të transformimit të FSK-së në ushtri, meqë ishte diskutuar se kjo do të zgjas 10 vjet. Sipas tij, tash më këto procedura janë vetëm mekanike, sepse një gjë e tillë tash më është e paraparë.