“Mogherini në takimin e BE-së ka thënë se Prishtina po komplikon gjërat në dialog” Foto: Driton Paçarada / Koha

“Mogherini në takimin e BE-së ka thënë se Prishtina po komplikon gjërat në dialog”

13 December 2018 23:39

Gjatë takimit të sotëm të liderëve të BE-së, presidenti qipriot Nicos Anastasiades dhe shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, kanë biseduar për problemet në dialogun mes Prishtinës e Beogradit, për tarifat ndaj mallrave serbe që “bllokojnë dialogun” dhe hapin e institucioneve të Kosovës për ushtrinë, për çka kanë thënë se nuk është i mirëseardhur, ka mësuar Tanjugu nga Këshilli Evropian.

Burime diplomatike kanë thënë se çështjen e Kosovës e ka ngritur presidenti qipriot që ka thënë se deri tek kjo iniciativë ka ardhur pas vizitës së fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuciq.

Liderët e BE-së diskutojnë për Kosovën

Presidenti qipriot ka vlerësuar se gjërat “nuk duken mirë” në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi dhe ka kërkuar nga autoritetet kosovare që të heqin taksen ndaj mallrave serbe dhe ka kërkuar nga Mogherini që të njoftojë BE-në rreth situatës në dialogun Kosovë-Serbi.

“Tanjugu” thotë se Mogherini ka përsëritur qëndrimin e BE-së që taksat e Kosovës “nuk janë veprim i mirë dhe bllokojnë dialogun”, përcjell Koha.net.

Ajo ka shtuar se ka “kundërshti nga ana e Prishtinës” dhe se ajo, bashkë me eurokomisionerët Johannes Hahn dhe Cecilia Malmström po punojnë në gjetjen e zgjidhjes për këtë krizë.

Nga Këshilli Evropian thonë për Tanjugun se Mogherini në takimin me liderët e BE -së ka folur edhe për transformimin e FSK-së në ushtri ku ka thënë se “një veprim i tillë nuk është i mirëseardhur e as është konstruktiv”.

Ajo tutje, sipas mediumit serb, ka thënë se në Kosovë ka probleme të brendshme politike ku “presidenti e kryeministri nuk flasim me gjuhë të njëjtë” dhe se kjo, sipas saj, “komplikon dhe bllokon gjërat”.

“Tanjugu” thotë se në takim, gjatë diskutimit për dialogun, kryesisht është folur për problemet që vijnë nga ana e Kosovës ndërsa për palën serbe nuk është thënë asnjë fjalë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Eglant Nagavci14/12/2018 15:18

Kurr mos ja hekni bllokaden serbis se vetem ekonomikisht dopsohen

Shto koment

Të ngjashme