Haradinaj: Mandati i ri përgjegjësi dhe privilegj i madh për FSK-në

Kushti i Haradinajt për të shkuar në zgjedhje

13 December 2018 20:08
21:04

Kryeministri Ramush Haradinaj është i gatshëm që të shkojë në zgjedhje.

Mirëpo vetëm pas përfundimit të procesit të dialogut me Serbinë.

Haradinaj në një intervistë për Rubikon të KTV-së u ka bërë thirrje partive opozitare, me theks të veçantë LDK-së e VV-së që t’i bashkohet ekipit negociator për dialogun me Serbinë.

Ai thotë që duhet të bashkohen e t’i japin fund procesit të bisedimeve dhe pastaj mund të shkojnë në zgjedhje.

“Kanë të drejtë që kërkojnë mocion por edhe nesër kur vijnë në pushtet ata përsëri duhet të merren me dialogun prapë edhe a po thonë që dialogu është temë nacionale atëherë hyni bre, nisjani tash”, ka thënë ai.

“Nëse ne biem dakord që të shkojmë në zgjedhje një ditë pasi të kryhet kjo temë, unë jam për”, sqaroi tutje Haradinaj.

21:03

Sipas Haradinajt, BE po tregohet e padrejtë ndaj Kosovës

“Një punë po ia kërkojmë Evropës, me lëviz lirshëm”, thotë kryeministri Ramush Haradinaj.

Sipas shefit të qeverisë, BE po tregohet i padrejtë ndaj Kosovës lidhur me procesin e liberalizimit të vizave.

“Është pak e padrejtë pra me ja ngarku Kosovës të gjitha këto tema, më së pari filtrin e UNMIK-ut, Tribunalit të ish- Jugosllavisë, EULEX-it, t’i ngarkon krejt temat tjera e në fund nuk është aty për ty. Kjo është bukur e pakuptueshme, çka me bo kjo Kosova, qysh m’i menaxhu gjithë këto situata”.

Sipas tij, ka vende tjera të cilat nuk janë më mirë se Kosova në rrafshin e sundimit të ligjit dhe çështje tjera mirëpo qytetarët e atyre vende e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë.

“Jemi i vetmi vend që kemi mbet të izoluar, qysh me besu që ti je i drejt me mu, kur ja ke jep vizën gjithkujt në kontinent, edhe atje ku ka lufta, ku ka korrupsion ndoshta deri në fyt, krejtve jau ke jep vizat”.

20:49

Haradinaj kundër Gucatit

Kryeministri Ramush Haradinaj doli kundër thirrjes së Hysni Gucatit, kryetar i OVL të UÇK-së që ish pjesëtarët e UÇK-së të mos i përgjigjen ftesës së Gjykatës Speciale.

“Kjo është rrugë e gabuar, me këtë bëhen dëme të mëdha, edhe viktimave po edhe perspektivës tonë. Nuk është rruga e duhur, ju kisha lut të gjithëve që mos t’i mujnë ndjenjat e emocionet në këto raste”.

Gucati dje në një intervistë dhënë për Rubikon u bëri thirrje të gjithë ish pjesëtarëve të UCK-së që mos t’i përgjigjen ftesës së Gjykatës Speciale.

20:44

Porositë e Haradinajt për Gjykatën Speciale

Ndonëse partia e tij nuk e votoi Gjykatën Speciale dhe vetë ai u bë pjesë e një skenari për të rrëzuar Specialen, kryeministri Ramush Haradinaj sonte në Rubikon tha se nuk ka arsye askush që mos t’i përgjigjet ftesës së Speciales.

Ai tha se të gjithë duhet t’i përgjigjen drejtësisë dhe ta respektojnë atë.

“Le ta japin provimin edhe një herë”, thotë ai.

“Nuk bën na me ra në provim, nëse Kosova bie në provim të kërkesës më të çuditshme atëherë vërtet i bëjmë dëm kohës së luftës, sakrificave dhe viktimave”.

Fshehja dhe kundërshtimi i Speciales, sipas Haradinajt është gabim dhe nuk duhet të bëhet.

“Mos të dështojmë në provim, të gjithë t’i përgjigjemi drejtësisë”.

20:32

Haradinaj: Edhe një ushtar amerikan me qenë në Kosovë Serbia s’guxon të niset këndej

Kryeministri Ramush Haradinaj i kujton Serbisë se Kosova është zonë e Amerikës.

“Kosova është zonë e Amerikës dhe kufiri Kosovë – Serbi është edhe kufi i Amerikës”, ka thënë Haradinaj i pyetur nëse Serbia mund të ndërhyjë me forcë ushtarake në Kosovë.

“E dinë ata ma mirë se na. Një ushtar amerikan në koftë këtu, ata nuk guxojnë të nisen këndej”.

20:28

Sipas Haradinajt, Bërnabiq po bën dramë pa bazë

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq po jep deklarata pa logjikë dhe po bën dramatizime pa bazë, thotë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Sa i përket formimit të Ushtrisë së Kosovës, ditë më parë Bërnabiq, kishte thënë se shpreson që “nuk do të kenë nevojë të përdorin ushtrinë, por një opsion i tillë është në tavolinë”

Në një intervistë për Rubikon të KTV-së, Haradinaj tha se nuk e kupton një qëndrim të tillë meqë ushtria e Kosovës nuk e rrezikon askënd.

“Kryeministrja e Serbisë shumë herë qëndrimet i ka të dramatizuara, por nuk e kuptoj pse, nuk ka themel. Kënd kemi për ta rrezikuar ne, është jashtë çdo logjike, këto deklarata nuk janë të mira”, ka thënë ai.

Ai u ka bërë thirrje liderëve serbë që mos të bëjnë deklarata të tilla.

“Këto deklarata s’janë të mira se asociojnë me të kaluarën, me veprime jo të mira të ushtrisë së Serbisë dhe dhimbje të së kaluarës. U bëj thirrje liderëve të Serbisë që mos të bëjnë kështu se nuk është mirë kështu”, ka shtuar Haradinaj.

20:16

Haradinaj i përgjigjet Stoltenbergut: Nëse pyeten të gjithë kurrë nuk bëhet tamam

Kryeministri Ramush Haradinaj për deklaratën e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, është treguar i matur dhe ka thënë se ka qenë vetëm një mesazh që tregon se sa me seriozitet duhet të trajtohet çështja e transformimit të FSK-së në Ushtri.

Teksa Stoltenberg pati thënë se kjo po bëhet në kohë jo të duhur, Haradinaj ka nënvizuar se vendimi është e drejtë sovrane dhe askush nuk guxon ta pengojë.

“Të kuptohet që është situatë që duhet të jemi të përgjegjshëm, që të kuptohet që është situatë e ndjeshme dhe të kuptohet serioziteti i asaj që po bëjmë sepse të gjitha janë palë, edhe NATO është palë edhe pse ka vepruar në kohën kur e ka vlerësuar dhe ne po e zbatojmë një të drejtë tonën sovrane dhe s’guxon të pengohet”, ka thënë Haradinaj. “Nëse pyeten të gjithë kurrë nuk bëhet tamam”, theksoi ai.

Kujtojmë se Stoltenbergu kishte deklaruar se ia ka potencuar, si Prishtinës, ashtu edhe Beogradit, nevojën për qetësi dhe përmbajtje, si dhe anashkalim të ndonjë hapi apo deklarate provokuese.

“Me Haradinajn, kam shqyrtuar planin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri. Kam theksuar se një hap i tillë vjen në kohë të papërshtatshme dhe është kundër këshillës së dhënë nga disa aleatë të NATO-s, andaj mund të ketë pasoja negative në perspektivën e Kosovës për integrim euro-atlantik”, është thënë në deklaratën e NATO-s.

Përveç tjerash, ai ka thënë se nëse do të rritet mandati i FSK-së, NATO-s i duhet të shqyrtojë nivelin e bashkëpunimit me këtë Forcë.

20:08

Haradinaj: Mandati i ri përgjegjësi dhe privilegj i madh për FSK-në

Ushtria e Kosovës është në “dhimbjet e fundit para lindjes së madhe”, thotë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai në një intervistë ekskluzive për Rubikon vetëm një ditë para votimit të ushtrisë në Kuvendin e Kosovës ka folur për sfidat e vendit gjatë gjithë procesit.

“Është mandat i ri, dallon në tërësi nga mandati i mëhershëm. FSK mandatohet për ta mbrojtur Kosovën. Kjo është një përgjegjësi dhe privilegj i madh. Është moment shumë i rëndësishëm në jetën tonë”, ka thënë ai. “Nuk ka qenë proces fare i lehtë, proces mjaftë sfidues dhe akoma jemi nëpër dhimbjet e fundit të lindjes madhe dhe i falënderoj të gjithë që u kujdesën, është menaxhuar mirë nga Kosova, nga të gjitha institucionet, partitë, shoqëria civile, ushtarakët tjerë që po ashtu na kanë kuptuar dhe po besoj që ka qenë edhe një arritje logjike sepse dikur është dashur të ndodhte. Fatmirësisht është arritur kjo pa thyerje të mëdha, pra nuk jemi me thyer me aleatët kryesor, por i kemi disa mungesa në komunikim me disa nga anëtarët e NATO-s”.

Të premten pritet që të votohet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri. Pakoja e ligjeve që i jep mandatin mbrojtës FSK-së nesër pritet të votohet në lexim të dytë, në një ditë, që po cilësohet historike për Kosovën.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme