Arbëri

Në vitin 2019, sigurimet shëndetësore të jenë synimi i Ministrisë së Shëndetësisë

Sigurimet shëndetësore premtohen edhe një herë për vitin që po vjen.

Kështu u tha në prezantimin e rezultateve të punës dhe të arriturave përgjatë vitit 2018, të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, si dhe planeve të këtij dikasteri për vitin 2019, raporton KTV.

Këtë premtim e bëri vetë Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, sipas të cilit viti që po lëmë ka qenë mjaft intensiv dhe me shumë sfida.

Ismaili tha se, në mungesë të buxhetit, kanë pësuar më së shumti mjekët dhe pacientët, derisa premtoi se viti 2019 do të jetë themel i suksesit në sistemin e shëndetësisë.

Ndërsa, në pjesën e infrastrukturës tha se është bërë punë e mirë, duke investuar afro 1 milion e 100 mijë euro.

Edhe Drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, tha se në kohën kur mori mandatin ta drejtojë këtë institucion, e gjeti në gjendje shumë të rëndë.

Sejdiu, për 2019-n, premtoi zgjerim të investimeve nëpër spitalet regjionale në Kosovë.

Në prezantimin e punës dhe planeve për vitin 2019, furnizimi me barna ishte një nga temat më të debatueshme.

Si suksesi më i madh është prezantuar ristrukturimi dhe renovimi i njësisë së emergjencës, ku janë blerë edhe pajisje të reja.