Arbëri

Kastrati thotë se transformimi i FSK-së në Ushtri garanton paqe në rajon

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, ka thënë se transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës do të garantojë paqe në vend e në rajon.

Sipas tij, Ushtria e Kosovës do të ketë mandat mbrojtës e s’ka për synim pushtim territoresh.

Në Express Intervistën në KTV, Kastrati e ka cilësuar ditën e premte, kur pritet të votohet në Kuvend ky transformim, si ngjarjen më të madhe pas pavarësisë së vendit.

Ai ka shpjeguar se transformimi i plotë do të bëhet për dhjetë vjet, por ka shtuar se kapacitetet ekzistojnë që kjo të përfundojë për shtatë vjet. Ka shtuar se FSK-ja mund të kishte nisur transformimin në Ushtri katër vjet më parë.

“Plani i veprimit nga viti 2012-2014 ka qenë për fazë dhjetëvjeçare, por mendoj se kjo forcë edhe qeveria ka mundësi që ta përshpejtojnë planin e veprimit e të mos jetë dhjetë vjet, por të shkurtohet jo më tepër se 7 vjet. Mendoj se ka mundësi ta bëjë këtë. Ishim të gatshëm që të ecim tutje qysh katër vjet më parë. Arsyet ishin politike. Dihet se pala serbe s’ishte e gatshme asnjëherë të votojë ndryshimet kushtetuese për këto transformime. Kemi arritur deri këtu duke mos parë dritë në tunel. Falënderojmë aleatët që na kanë thënë se bëjeni atë që duhet”, ka thënë ai.

Kastrati ka thënë po ashtu se vetëm emri do të mbetet i njëjtë, ndërsa misioni dhe detyrat do të ndryshojnë.

“Vetëm emri mbetet Forca e Sigurisë. Emri nuk e bën një organizatë ushtri. E bën misioni dhe detyrat. Nga kjo detyrë e mision dalin nevojat për armatim e gjithçka tjetër të nevojshme”, ka shtuar ai.

Kastrati ka thënë se e kupton Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, që tha se ky transformim s’po bëhet në kohën e duhur, pasi “ai është përfaqësues edhe i shteteve që s’e njohin Kosovë”.

Megjithatë, Kastrati ka thënë se përkrahja e SHBA-së dhe aleatëve tjerë e ka shtyrë përpara këtë proces.

“I kuptojmë deklaratat, por Kosova po ndërton forcë mbrojtëse e nuk pretendon ta rrezikojë askënd. Nuk kemi qenë kurrë në gjendje që NATO-s t’ia ofrojmë kapacitetin tonë për operacionet e paqes. Tash me ngritjen e këtyre kapaciteteve, Kosova mund të kalojë në eksportues të sigurisë. Do të reflektojë në siguri edhe për qytetarët e Kosovës, por edhe më gjerë”, ka thënë më tej ai.

Duke folur për veprimet e para të Gjykatës Speciale, që tashmë ka ftuar për intervistim disa ish-luftëtarë të UÇK-së, Kastrati ka përsëritur se “lufta e UÇK-së ishte e drejtë, e pastër, çlirimtare”.

“Me përgjegjësi të plotë e them që gjatë luftës e deri në çlirim të Kosovës s’ka pas krime. Pas luftës janë përgjegjësi individuale, por gjatë luftës garantoj se kemi bërë luftë të drejtë e duke respektuar ligjet e luftës. Në zonën time Remi ishte komandant e unë zëvendëskomandant. Kemi kryer trajnime në respektim të ligjeve ashtu që në këtë aspekt kemi punuar shumë. Në përgjithësi lufta e UCK-së sidomos aty ku ishim ne ishte e pastër”, ka thënë ai duke shtuar se deri tash s’ka marrë ftesë. “Deri më tani jo, por nëse më ftojnë jam i gatshëm të përgjigjem. S’frikësohem as unë as shokët tanë sepse kemi luftuar drejtë”.