Arbëri

Dënohet ndalimi i Petroviqit nga policia serbe në Merdare

Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, më datë 12 dhjetor mbajti mbledhjen e radhës dhe ndër të tjera diskutua për ndalimin e jashtëligjshëm të deputetit dhe anëtarit të Komisionit, Slobodan Petroviq, nga ana e xhandarmërisë serbe në kufirin Kosovë-Serbi, përkatësisht në pikën kufitare në Merdare, njofton kumtesa.

Në deklaratë theksohet se “dënojmë ashpër ndalimin e paligjshëm të deputetit dhe anëtarit të Komisionit Parlamentar për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve nga policia serbe. Konsiderojmë se ky ndalim bëhet me qëllim të ushtrimit të presionit dhe kërcënimit ndaj punës së deputetit, Slobodan Petroviq, transmeton Koha.net.

Kumtesa kërkon ë nga institucionet e Kosovës që të ndërmarrin hapat e nevojshëm që situata të këtilla presioni ndaj deputetëve të mos ndodhin e nga Zyra për politikë të jashtme e BE-së kërkohet të ushtrojë presion te qeveria serbe për sqarimet mbi arsyen dhe rrethanat e këtij rasti.

Në fund të kumtesës kërkohet që nga institucionet e sigurisë të Kosovës që me seriozitet ta trajtojnë këtë rast dhe të ofrojnë siguri për deputetin Slobodan Petroviq dhe familjen e tij.

Më datën 8 dhjetor, gjatë kalimit të kufirit Kosovë-Serbi, deputeti i Partisë Liberale Serbe, Slobodan Petroviq, është ndaluar nga policia serbe ku është mbajtur për disa orë duke u marrë në pyetje nga pjesëtarë të shërbimit informativ serb (më tej BIA). Për orë të tëra ai i është nënshtruar presionit direkt të Serbisë për punën e tij, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Kosovës.