Arbëri

5 persona janë ftuar nga Specialja për intervistim

Së paku 5 persona, emrat e të cilëve janë bërë publikë, janë ftuar deri tani nga Gjykata e Prokuroria Speciale për intervistim, dhe kjo mund të lidhet me aktakuzat ndaj tyre, raporton KTV.

Dy ish-zyrtarë të lartë të UÇK-së, janë të ftuarit e radhës.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku dhe Nazif Mehmeti, ish-komandant në Zonën e Llapit, duhet të paraqiten në janar para hetuesve.

Sipas mbrojtësve të tyre, nuk është e qartë se a janë ftuar në cilësinë e dëshmitarëve apo të dyshuarve.

“Me autorizimin e klientit tim, z. Sami Lushtaku, ju njoftoj se z. Lushtaku ka pranuar një ftesë që me datën 14 janar 2019, të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë. Kjo është ftesë për intervistim”, ka thënë Arianit Koci – Avokat i Sami Lushtakut.

Mehmetit, që ka qenë i dënuar në Grupin e Llapit, nuk i është dhënë asnjë informatë rreth dyshimeve të Gjykatës.

Sikur Lushtaku, ashtu edhe Mehmeti do të paraqiten vullnetarisht para hetuesve ndërkombëtarë.

Në procedurën e zakonshme gjyqësore, personat kur kontaktohen nga Prokuroria ose Gjykata, njoftohen se në çfarë cilësie duhet të paraqiten para drejtësisë.

Pos tyre, të ftuar për intervistim janë edhe Rrustem Mustafa, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit dhe Sokol Dobruna, ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së.