Arbëri

Ramaj: “Depoja e keqpërdorimeve farmaceutike” ndërroi klimën e blerjes së barnave

Gazetarja e Kohës Ditore, fituese e çmimit kundër korrupsionit me hulumtimin “Depoja e keqpërdorimeve farmaceutike” në “Express Intervistë” ka thënë se hulumtimi i grupit Koha dhe Institutit “Columbus”, ka ndërruar klimën e blerjes së barnave nga Ministria e Shëndetësisë.

Duke folur për hulumtimin që ia shpëtoi buxhetit të shëndetësisë 6 milionë euro, Ramaj ka thënë se tani barnat nuk mund të blihen mbi çmimin real të tyre.

“Komplet hulumtimi e ka ndërruar klimën e blerjes së barnave. Operatorët që e konsiderojnë të fuqishëm që në një formë ose tjetër janë të lidhur me politikën, e kanë kuptuar se sa mund të ketë ndikim media. Ata kanë tentuar ta injorojnë hulumtimin tonë, kanë menduar se nëse nuk merremi me ata që hulumtojnë, do të harrohet kjo çështje, por ne nuk e kemi lënë me kaq dhe kemi vazhduar me punën tonë”, ka thënë gazetarja Ramaj.

“Kemi pasur storje në KTV dhe më vjen mirë që ‘Depoja e keqpërdorimeve farmaceutike’ e ka vendosur një standard që mbi çmimin real vështirë se mundet të kontraktohet një barn. Shteti i ka kursyer 6 milionë euro, janë 6 milionë euro më shumë për pacientët. Pas dokumentarit na ka kontaktuar prokuroria e shtetit për të nisur një hetim. Sipas informatave rasti ka kaluar te departamenti i krimeve të rënda”, ka thënë Ramaj.

Ajo ka treguar se fillimisht 15 produkte ishin blerë 800 për qind më shtrenjtë sesa çmimi real, ndërsa ka pasur produkte që çmimi u ka shkuar deri në 2 mijë për qind.

“Na është dukur skandal që kaq produkte janë blerë me këtë çmim. 205produkte nuk kanë qenë 800 për qind por çmimet kanë shkuar në 2 mijë për qind. Ka qenë e vështirë sepse ministria e shëndetësisë për vitin 2016-2017 e kanë bllokuar qasjen në kontrata, i kanë fshehur ato kontrata. dhe është dashur të këto kontrata t’i nxirrnim në mënyrë jo zyrtare, pasi bëhej fjalë për 400 produkte”, ka thënë Ramaj për vështirësitë që ka pasur gazeta për të hulumtuar këtë çështje.

“Na është dukur kontradiktore që në këtë kategori për të cilën shteti ndan pak para, të bëhen keqpërdorime të tilla. Është shpërblyer një storje origjinale është 100 për qind e gazetës, është hulumtim i gazetës dhe janë analizuar 800 kontrata”, ka thënë gazetarja e Kohës Ditore.