Haradinaj: Mogherini e ka mbytur dialogun

Haradinaj: Mogherini e ka mbytur dialogun

11 dhjetor 2018 17:47

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka fajësuar shefen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, për siç tha “mbytje” dhe “çrregullim” të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj tha se pikërisht lejimi i diskutimit të këtyre temave në dialogun me Serbinë, do të shkaktojnë dëme në rajon, që sipas tij do të çojnë në destabilizim.

“Mendoj se zonja Mogherini e ka mbytur dialogun, e ka çrregulluar, nga një dialog për normalizimin e ka kthyer në një dialog për territore e kufi, e për shkëmbime e që në Ballkan dihet çka nënkupton – destabilizim. Ajo realisht i ka shkaktuar dëm rajonit tonë, qoftë duke lejuar diskutimin (për ndryshim kufiri), qoftë duke guxuar që edhe në publik të deklarohet për këtë”, tha Haradinaj.

Komentet e Haradinajt vijnë një ditë pasi Mogherini, e cila ndërmjetëson dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, nuk e përjashtoi mundësinë e ndryshimit të kufijve mes dy vendeve, por theksoi se një ndryshim i mundshëm, nuk duhet të bazohet në vija etnike.

“Pavarësisht se për cilat adoptime do të pajtoheshin palët në të ardhmen, rezultati nuk duhet të ishte spastrimet etnike të vendeve. Në çfarë do rasti, të dyja vendet duhet të mbesin shumetnike”, ka deklaruar Mogherini.

Artikullin e plotë lexoni në Radio Evropa e Lirë

Komentet

Shto koment

Të ngjashme