Sivjet 74 persona janë arrestuar për korrupsion

Sivjet 74 persona janë arrestuar për korrupsion

11 dhjetor 2018 14:06

Në vitin 2018, Policia e Kosovës në kuadër të luftimit të korrupsionit ka iniciuar 393 raste, ka arrestuar 74 persona e janë asgjësuar shtatë grupe kriminale. Po ashtu janë paraqitur 336 kallëzime penale.

Këto të dhëna u bënë të ditura gjatë një konference për media përmes së cilës Policia e Kosovës e ka shpalosur punën e këtij institucioni për luftimin e korrupsionit, si dhe është lansuar fushata vetëdijësuese me moton “Zero ryshfet për të korruptuarit”.

Drejtori i Departamentit për Hetime, Riza Shillova, tërhoqi vërejtjen se luftimi i korrupsionit është një kërcënim serioz për zhvillimin ekonomik dhe proceset integruese nëpër të cilat po kalon Kosova.

Duke zbatuar dispozitat ligjore për konfiskim të pasurisë të aseteve, Shillova tha se deri në këtë periudhë të vitit kanë konfiskuar 6 banesa, 2 shtëpi, 39 parcela tokë, 4 lokale, 2 garazhe.

Shillova u shpreh se prioritet i Policisë së Kosovës në vitin 2019 mbetet trajtimi i rasteve korruptive.

Ndërsa, Bashkim Spahiu nga Drejtoria për hetime për krimet ekonomike dhe korrupsionit, u shpreh se luftimi i krimeve ekonomike nuk është në nivel të kënaqshëm.

“Janë regjistruara ose janë iniciuar gjithsej 393 raste, ndërsa në raport me këto raste të iniciuara kemi pasur gjithsej 74 persona të arrestuar, po ashtu procedimi i këtyre rasteve ka rezultuar me paraqitjen e 336 kallëzimeve penale në prokuroritë përkatëse, ndërsa persona të dyshuar paraqiten në kallëzime penale janë gjithsej 549. Gjatë kësaj periudhe kohore dhe në raport me këto incidente drejtoria për krime ekonomike dhe korrupsionin ka arritur të asgjësojë ose t’i shkatërrojë 7 grupe të struktura kriminale”, ka thënë Spahiu, raporton KP.

Për punën që Policia e Kosovës e ka bërë në luftimin e korrupsionit, Spahiu i ka përmendur rastet veç e veç që janë hetuar dhe arrestuar për korrupsion zyrtarë në ministritë e Qeverisë së Kosovës.

“Në Ministrinë e Shëndetësisë ku kemi pasur tetë persona të arrestuar me një dëm material që iu ka shkaktuar kësaj ministrie në vlerën mbi 1 milion e 200 mijë euro. Pastaj, kemi pasur në Ministrinë e Zhvillimit Rural ku siç e dini edhe ju në rastet e subvencioneve për bujq ka pasur keqpërdorime dhe si rezultat i hetimeve nga drejtoria jonë kem arritur t’i arrestojmë 3 zyrtarë dhe janë faktuar në mënyrë shumë profesionale para prokurorisë përkatëse. Po ashtu, një rast tjetër e kisha veçuar është edhe rasti në ministrinë e Infrastrukturës ku hetimet kanë arritur që të argumentojnë involvimin në vepra penale 6 zyrtarëve të lartë të kësaj ministrie”, u shpreh ai.

Ndryshe, pjesëtarë të Policisë së Kosovës sot kanë shpërndarë te qytetarët edhe fletushka me moton “Zero ryshfet për të korruptuarit”.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme