Kosova e fundit në rajon për investime të huaja

Kosova e fundit në rajon për investime të huaja

11 dhjetor 2018 12:27

Investimet e huaja direkte në Kosovë gjatë këtij viti kanë pësuar rënie në krahasim me vitin e kaluar.

Deri në muajin shtator, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, ka pasur afro 50 milionë euro më pak investime se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kreu i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, fajëson Ministrinë e Tregtisë e Industrisë për këtë, përderisa ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, pranon se vendet rajonale ofrojnë kushte më të mira për investitorë.

Kosova vazhdon të mbetet në vendin e fundit në rajon sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja direkte. Këtë vit investime nga jashtë ka pasur më pak se sa vitin e kaluar, ka thënë për Radio Kosovën zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, (BQK), Kushtrim Ahmeti.

“Nga janari deri në muajin shtator të këtij viti, vlera e Investimeve të Huaja Direkte në Kosovë ka arritur në shifrën prej 164.4 milionë euro apo 48.8 milionë euro më e vogël se periudha e njëjtë e vitit të kaluar, ku investimet arritën në shumën prej 213.2 milionë euro”, tha Ahmeti.

Investimet në vendin tonë përveçse të vogla janë edhe jo kualitative, pasi që përqindja më e madhe e tyre investohen në patundshmëri, e jo në fabrika. Nga vendet rajonale Kosova ndodhet në pozitën e fundit, përderisa Serbia prin bindshëm, duke hyrë në mesin e 15 shteteve me më së shumti investime në Evropë. Sipas Kompanisë shumëkombëshe për konsulencë dhe auditim “Ernst&Young”, që ka publikuar "Anketën Evropiane të Atraktivitetit 2018", në Serbi gjatë vitit 2017 janë krijuar 20 mijë vende të reja pune nga investimet e huaja direkte. Në vend të parë ndodhet Britania e Madhe me 50 mijë vende të reja pune, pasuar nga Gjermania dhe Franca. Në Serbi, vitin e kaluar kishte 2.6 miliardë investime të huaja direkte, e sivjet ka rritje prej 16%. Më mirë se vendi ynë, pozicionohen edhe vendet e tjera rajonale, kurse për këtë, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka shpjegim.

“Në Serbi subvencionohen bizneset me vende pune që gjenerojnë. E në Maqedoni kanë pushim të taksave deri në 10 vite, gjë që ne nuk e kemi”, tha Lluka.

Ministri Lluka, i cili ka udhëhequr më parë edhe Agjencinë për Promovimin e Investimeve “Kiesa”, tha se kërkesat e tilla të komunitetit të biznesit nuk kanë gjetur përkrahje të madhe në Kosovë. Kurse drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, thotë se në mungesë të ndonjë studimi të mirëfilltë, janë hipotetike arsyet e ngecjes së Kosovës.

“Këtu ne si OEAK kemi thënë se faji i takon MTI-së, Agjencisë për Mbështetjen e Ndërmarrjeve dhe Investimeve të Kosovës “Kiesa”, i cili është dashur të ishte shumë më i zëshëm, shumë më dinamik në promovimin e mundësive për të investuar në vend”, thotë Zeka.

E nga Ministria e Tregtisë e Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime “Kiesa”, nuk u prononcuan për këtë temë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme