Policia identifikon 29 fëmijë lëmoshëkërkues në Kosovë

11 December 2018 12:16

Policia e Kosovës ka identifikuar 29 fëmijë lëmoshëkërkues në Kosovë, 13 persona të dyshuar dhe ka iniciuar 10 raste për “Keqtrajtim apo braktisje të fëmijës” në zbatim të planit operativ “Identifikimi i fëmijëve lëmoshë-kërkues si viktima të mundshme të trafikimit” që ka zgjatur nga 3 deri më 7 dhjetor në gjithë territorin e Kosovës.

Në realizim të këtij plani, pos të gjitha Njësive të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, kanë qenë të përfshirë edhe: Prokuroritë e rajoneve përkatëse, Qendrat për Punë Sociale, Drejtoria për Migrim dhe të Huaj e PK-së dhe Njësitë policore nga stacionet policore përkatëse, ka njoftuar policia.

Gjate zbatimit të këtij plani operativ janë hasur këto dukuri dhe kryer këto veprime:

  • Janë identifikuar 29 fëmijëve lëmoshë-kërkues (21 shtetas të Kosovës dhe 8 shtetas të Shqipërisë),
  • Janë identifikuar 13 persona të dyshuar,
  • Janë iniciuar 10 raste nga Neni 250 i Kodit Penal ‘Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’,
  • Të gjithë fëmijët lëmoshë kërkues kanë qenë të shoqëruar nga familjaret e tyre,
  • Gjatë marrjes në pyetje nuk është identifikuar asnjë viktime e trafikimit,
  • Shtetasit e huaj janë dorëzuar Drejtorisë për Migrimi dhe të Huaj që të vazhdojnë me veprime bazuar në Ligjin për të Huaj,
  • Për shtetasit kosovarë, në konsultim me prokurorët përkatëse, janë iniciuar 10 raste ‘Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë të realizojë detyrat e saja kushtetuese e ligjore, të shtojë aktivitetet në luftimin e dukurive antiligjore, të mbajë rendin dhe sigurinë publike, të parandalojë dhe t’i zbulojë veprat penale, përfshirë keqtrajtimin e fëmijëve dhe trafikimin me njerëz”, thuhet në fund të njoftimit nga Policia e Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme