Shumë shpejt zerim i tarifave të roamingut Shqipëri-Kosovë

Shumë shpejt zerim i tarifave të roamingut Shqipëri-Kosovë

11 December 2018 11:42

Vlorë, 11 dhjetor - Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) është përfshirë në një proces intensiv për implementimin e zerimit të tarifave të shërbimit roaming me Kosovën, pas marrëveshjes që nënshkruan në Pejë, qeveritë e dy vendeve.

Në një prononcim për ATSH-në, Ilir Zela, kryetar i Këshillit Drejtues të AKEP, theksoi se po bëhen të gjitha përpjekjet në këtë drejtim, me objektivin për reduktimin dhe, më pas, zerimin e këtyre tarifave.

“Ne do ecim shumë shpejt për një marrëveshje roaming-u të tarifave të reduktuara me Kosovën dhe do të ecim gjithashtu shumë shpejt me zerimin e këtyre tarifave”, saktësoi Zela.

Por, sipas tij, “paralelisht me këtë do të ecet shumë shpejt edhe me vendet e tjera fqinje dhe kjo do të lehtësojë maksimalisht komunikimin e turistëve që vijnë në Shqipëri, por edhe të shtetasve shqiptarë që udhëtojnë në vendet fqinje”.

Në prononcimin e tij për ATSH-në, Ilir Zela, që është i pranishëm në një aktivitet që po zhvillon AKEP në qytetin e Vlorës, evidentoi gjithashtu edhe punën dhe përpjekjet që po bëhen për reduktimin e tarifave të shërbimit roaming me vendet e BE-së, duke nënvizuar se, në këtë drejtim, institucioni që ai drejton po i paraprin procesit me plotësimin e detyrimeve respektive që parashikohen në Kapitullin e Komunikimeve Elektronike.

Duke iu përgjigjur pyetjes së ATSH-së lidhur me këtë çështje, Zela nënvizoi se për tarifimin me vendet e BE-së, ka një angazhim të veçantë të Komisioneres Mariya Gabriel, përgjegjëse për Axhendën Dixhitale për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Komisionit Evropian.

“Paralelisht me nismat për reduktimin e tarifave dhe heqjen e roaming-ut midis vendeve të rajonit, po lëvizet edhe me përshpejtimin e procesit për të ulur dhe zeruar edhe tarifat me vendet e BE-së”, u shpreh Zela, sipas të cilit, në kuadrin e përgatitjeve dhe pritshmërisë së çeljes së negociatave me BE-në në muajin qershor të vitit të ardhshëm, AKEP ka punuar që kapitulli përkatës që ka të bëjë me komunikimet elektronike, të jetë i gatshëm për t’u diskutuar ndër të parët me Komisionin Europian.

“Besoj se, në këtë drejtim, pra të tarifave të roaming-ut, do të ecet më shpejt”, theksoi ai.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), po zhvillon në qytetin e Vlorës një aktivitet ku po diskutohet për të përmirësuar edhe më tej shërbimet ndaj qytetarëve shqiptarë në fushën e telefonisë së lëvizshme dhe komunikimeve elektronike dhe postare.

AKEP po zhvillon një diskutim të hapur dhe bashkëpunues me Kuvendin, Ministrinë e Industrisë dhe Energjisë, Autoritetin e Konkurrencës, Komisionin e Mbrojtjes së Konsumatorit, operatorët kryesorë kombëtarë (Vodafon, Telekom Albania, Albtelecom), si dhe operatorin lokal që vepron në zonën e Vlorës, Nisatel.

Ky diskutim, konsiston në identifikimin e fushave dhe prioriteteve kryesore të punës së AKEP për vitin 2019, që do të shërbejë si bazë për miratimin e dokumentit: “Strategjia dhe Plani i Veprimit të AKEP për vitin 2019”.

Kryetari i Këshillit Drejtues të AKEP, IlirZela, në një prononcim për mediet, tha se prioriteti i institucionit që ai drejton, është në lehtësimin e vazhdueshëm të shërbimeve telefonike dhe të internetit për qytetarët.

Ai shtoi se, AKEP do të vijojë në bashkëpunim me qytetarët që të ndjekë çdo problem që ata hasin me shërbimet në telefoninë celulare.

Pas uljes së ankesave për çështjen e lëvizjes së numrit celular në kompani të ndryshme, tashmë AKEP po përqendrohet në ankesat për zgjatjen e paketave të internetit apo ofertave mujore.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme