Abdixhiku: Ushtria në koordinim me SHBA-në, e më pas me miqtë tjerë brenda NATO-s

Abdixhiku e sfidon Qeverinë të kërkojë votëbesim

10 dhjetor 2018 23:36
23:59

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se është evidente që aktualisht as opozita e as shumica nuk i kanë 61 vota.

Abdixhiku ka thënë se opozita nuk do të ndalet së kërkuari që të bëjë 61 vota për ta rrëzuar Qeverinë, por në anën tjetër ka thënë se duke qenë se as Qeveria s’i ka votat, do duhej të kërkonte votëbesim.

“Pa marrë parasysh pse Lista Serbe nuk është më në Qeveri, është evidente se kjo Qeveri nuk e ka shumicën në Kuvend. Është e ndershme që të kërkojë votëbesim. Nëse i merr votat ta vazhdojë punën, nëse nuk i merr duhet të bie”, ka thënë Abdixhiku.

Ai po ashtu ka folur për dokumentet që i ka publikuar Koha.net lidhur me hetimin e komisionit parlamentar për fondet për lobim të presidencës dhe qeverisë së vendit. Ka thënë se janë katër konkluzione dhe se kanë vënë re mosdorëzim të raporteve nga presidenca, e fshehje të tyre nga ministria e Jashtme. E ka kritikuar presidentin Hashim Thaçi që nuk iu është përgjigjur thirrjeve të komisionit. Ka thënë se çështja do të shkojë në Kuvend për diskutim, për çka tha se pret diskutim politik sepse “faktet nuk u pëlqejnë”. Pas kësaj ka thënë se prokuroria do të nisë hetimet.

23:42

Abdixhiku: PSD-ja më afër AAK-së në pushtet se LDK-së e VV-së në opozitë

Vetëm dy parti opozitare janë në Parlamentin e Kosovës, sipas deputetit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ai ka thënë se partia tjetër, PSD, më shumë është afër pushtetit se LDK-së e VV-së në opozitë.

Në Interaktiv të KTV-së, Abdixhiku ka thënë se në fjalimet e tyre deputetët e PSD-së 90 për qind të kohës merren me opozitën dhe shumë pak flasin për pozitën.

“Po besoj që vullneti i opozitës artikulohet mes dy partive opozitare. Jo më të mëdha, por të vetmet. Me veprimet politike që i kanë, nuk sillen si opozitë. Më afër AAK-së në pushtet se LDK-së e VV-së në opozitë. Në fjalimet e tyre më shumë merren me opozitën se pozitën. Për 9 minuta flasin për opozitën, e një minutë për pozitën, AAK-në e kryeministrin. Nuk kam dëgjuar ndonjëherë ashtu. Por pavarësisht kësaj është politikë e tyre e në fund të ditës do të matemi të gjithë e do të marrim koshin e votave që e kemi merituar. Me rëndësi është të ndalim procesin politik ku është futur Kosova, përtej kalkulimeve minore partiake që po i shohim tani sepse bëhet fjalë për shtetësinë dhe korrigjimin e diçkaje që po e shohin konfliktuoze”, ka thënë ai.

Duke folur për dialogun me Serbinë, Abdixhiku ka thënë se fillimisht duhet të mbahen zgjedhje që ky dialog të udhëhiqet nga ata që kanë besimin e qytetarëve. Sipas tij, koalicioni aktual nuk e ka besimin e popullit dhe vetëm pas zgjedhjeve dikush mund të ketë të drejtë të negociojë në emër të popullit. Ka thënë se LDK-ja refuzon me çdo kusht dialogimin për kufijtë.

Sa i përket propozimit që Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj të udhëheqin ekipin negociator në dialog, Abdixhiku ka thënë se asnjëri nuk ka legjitimitet që të përfaqësojë shtetin.

“As këta zotërinj nuk janë në gjendje e as s’kanë legjitimitet të përfaqësojnë dikë. për të përfaqësuar dikë duhet zgjedhje për të pasur legjitimitet”, ka shtuar ai.

23:36

Abdixhiku: Ushtria në koordinim me SHBA-në, e më pas me miqtë tjerë brenda NATO-s

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kjo parti, në seancën e 14 dhjetorit kur pritet të kalojnë në lexim të dytë ligjet që i japin FSK-së, mandatin e Forcës së Mbrojtjes, do sillet “siç është sjellë edhe në votimin në lexim të parë, siç ka deklaruar edhe në studiot e KTV-së kryetari Isa Mustafa dhe si është këshilluar nga partnerët ndërkombëtarë në radhë të parë me SHBA-në”.

“Çështja e mbrojtjes së Kosovës ka tejkaluar fuqinë tonë, dhe formimi i ushtrisë do të ishte i pamundur pa mbështetjen e SHBA-së”, ka thënë Abdixhiku.

Kjo ka qenë përgjigja e tij indirekte ndaj zërave të anëtarëve të LDK-së se ushtria nuk është mirë të formohet pa përkrahjen e plotë të të gjithë miqve ndërkombëtar.

“Qëllimi kryesor i FSK-së është anëtarësimi në NATO dhe nuk kemi llogari të hapim fronte me një Aleancë që është mike dhe ka intervenuar këtu para 20 vitesh. Por formimi i ushtrisë duhet të bëhet në radhë të parë në partneritet me SHBA-në dhe më pas me miqtë tjerë brenda NATO-s”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë se gjendja në terren nuk do të ndryshojë duke ditur se faza e transformimit të FSK-së në Ushtri do t’i marrë së paku 10 vite kohë.

“Nuk është se të premten e miratojmë Ushtrinë dhe të shtunën e zëvendësojmë me KFOR-in. Në gjendjen faktike nuk do të ndryshojë asgjë. Serbia po provon ta paraqesë këtë si faktor destabilizues në Ballkan, dhe problemin në veri ta paraqes si problem etnik, që është pjesë e propagandës serbe, dhe e cila në fakt diplomacinë kosovare e ka zënë në gjumë”, ka thënë Abdixhiku.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme