Holanda kundër liberalizimit, Greqia pro Foto ilustrim

Holanda kundër liberalizimit, Greqia pro

Xhemajl Rexha 10 December 2018 23:05

Dy shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, Gjermania dhe Franca nuk janë angazhuar të flasin për Ballkanin Perëndimor e Kosovën, në debatin e së hënës të Këshillit të Ministrave të BE-së.

Ata që kanë folur, kanë shprehur shqetësimin e tyre për planet e Prishtinës për të votuar të premten, shndërrimin e FSK-së në Ushtri, duke përmendur mundësinë për tensione të reja.

Kur është folur për Kosovën, pashmangshëm është përmendur liberalizimi i vizave. Burimet nga kryeqyteti evropian i kanë thënë KTV-së se shtete si Kroacia, Lituania e madje edhe shteti mosnjohës, Greqia, kanë folur në favor të vendimit pozitiv për vizat.

Spanja, në diskutim, ka kërkuar zgjidhje për faktin që ajo nuk i njeh pasaportat e Kosovës, nëse dhe kur të ndodhë liberalizimi.

Por, kundërshtari kryesor dhe më i fuqishëm për liberalizimin, ka dalë Holanda, duke kërkuar më shumë kohë e punë deri në marrjen e vendimit.

Shefat e diplomacisë evropiane janë pajtuar që taksa 100 % e Kosovës ndaj Serbisë duhet të hiqet, sepse nuk i kontribuon dialogut ndërmjet palëve.

Por, ka pasur shtete që e kanë pranuar se Kosova ballafaqohet me vështirësi nga Serbia sa i përket aspektit të tregtisë.

Nga deklaratat zyrtare, ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajcak, tha se formimi i Ushtrisë së Kosovës është më shumë kompetencë e NATO-s, por theksoi se edhe BE-ja kërkon që kjo çështje duhet të jetë vetëm në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme