Tri masat e reja të Kosovës ndaj Serbisë mbeten në nivel të ideve, po shqyrtohen në Qeveri

Kushtrim Kadriu 10 December 2018 19:08

Tejet i rezervuar është treguar kryeministri Ramush Haradinaj, kur u pyet për masat e mundshme shtesë që mund të marrë Qeveria që ai udhëheq, ndaj Serbisë.

Haradinaj ka thënë se për këtë çështje nuk guxon të flasë gjatë së hënës.

Por, Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit, ka thënë se ende nuk ka vendim zyrtar rreth marrjes së masave të reja shtesë ndaj Serbisë, raporton KTV.

Shatri nuk i ka përjashtuar masat si, ndalimin e hyrjes së veturave me targa të Serbisë, duke mos përjashtuar reciprocitetin edhe për çështje të tjera me Serbinë.

Ndërkaq, Beogradi vazhdon të vajtojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për masën 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka ekzagjeruar me çështjen duke thënë se serbët janë në prag të katastrofës humanitare.

“Taksa 100 për qind i ka sjellë serbët buzë katastrofës humanitare. Serbia, e cila në rastin e saj po i ndien pasojat e barrierave, është e përcaktuar për bashkëpunim të hapur dhe të lirë me të gjithë”, ka thënë Bërnabiq.

Kryeministri Ramush Haradinaj, edhe pas marrjes së vendimit për masën 100 për qind ndaj produkteve serbe, në vazhdimësi ka paralajmëruar se mund të ketë edhe masa shtesë, duke mos e përjashtuar edhe reciprocitetin me Serbinë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme