Arbëri

Haradinaj “nuk guxon të flasë për masat e mundshme ndaj Serbisë”

Pas vendosjes së taksës doganore prej 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka paralajmëruar masa shtesë për Serbinë. Mediat serbe dje raportuan se masat që qeveria e Kosovës pritet t’i vendosë kundër Serbisë janë: heqja e sistemit të pagesave në veri të Kosovës, ndalimi i hyrjes së ministrave dhe zyrtarëve serbë, si dhe ndalimin e hyrjes për automjetet me targa të Serbisë.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se nuk guxon të flasë kur u pyet nga KTV-ja për masat e mundshme ndaj Serbisë.

Për këtë temë Haradinaj ka kërkuar mirëkuptim dhe se do të flasë nesër pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

“Për sot nuk guxoj të flas. Nesër e kemi mbledhjen e qeverisë dhe për këtë dhe tema të tjera mund të flas”, tha ai.

Gjatë së dielës është raportuar në media se në mesin masave të reja ndaj Serbisë është edhe ajo e ndalimit të veturave me targa të Serbisë në Kosovë.