Arbëri

Ndryshimi i kampanjës për rimbursim ndikoi në rënien e interesimit për mbledhje të kuponëve fiskalë

Projekti i kampanjës për vetëdijesimin e qytetarëve për kuponët fiskalë kishte nxitur fiskalizimin e 8 mijë e 275 bizneseve në Kosovë.

Deri tash janë 30 mijë biznese të fiskalizuara, me gjithsej 40 mijë pajisje në të gjithë vendin.

Ndryshimi i formës së rimbursimit nga ana e Administratës Tatimore të Kosovës për qytetarët që mbledhin kuponë fiskalë ka qenë një dekurajim dhe ka ndikuar dukshëm në rënien e interesimit për të mbledhur kuponë fiskalë.

Disa nga qytetarët thonë se çdo herë janë kujdesur që t’i marrin kuponët fiskalë.

Menaxherët e disa bizneseve, prapa kamerës, kanë thënë se qytetarët, në 90% të rasteve, i marrin kuponët fiskalë. Ka raste që kur harrojnë kthehen dhe i kërkojnë.

Nga ATK-ja thonë se kampanjën e re të rimbursimit e kanë bërë për arsye që nuk kanë pasur mjete financiare që të vazhdojnë me kampanjën e vjetër.

Rimbursimi i kuponëve fiskalë nga ana e ATK-së ka filluar në vitin 2016. Ndërkaq, me formën e re të rimbursimit me kuponë fiskalë, nga janari e deri në tetor, kanë aplikuar 161,681 qytetarë.

Qytetarët vazhdimisht nxiten ta kërkojnë kuponin fiskal, por janë bizneset ato që duhet ta lëshojnë atë patjetër edhe nëse konsumatori nuk e kërkon.