Deputeti Sllobodan Petroviq ndalohet nga xhandarmëria e Serbisë, Kuvendi i Kosovës dënon ndalimin e tij Foto: Ilustrim

Qeveria thotë se është e patolerueshme ndalja e deputetit Petroviq nga ana e Serbisë

08 dhjetor 2018 22:03
22:12

Pas Kuvendit të Kosovës ka reaguar edhe Qeveria për ndaljen e deputetit Slobodan Petroviq nga ana e policisë së Serbisë në pikën kufitare në Merdare.

Përmes një komunikate për media Qeveria e Republikës së Kosovës thotë se me shqetësim ka pranuar sot informatën se në vendkalimin kufitar në Merdare, është ndaluar pa asnjë arsye nga policia serbe, deputeti i Republikës së Kosovës, Slobodan Petroviq, dhe se i njëjti është mbajtur për orë të tëra në këtë vendkalim.

“Qeveria e Republikës së Kosovës deklaron se kjo nuk është hera e parë që qytetarët e Republikës së Kosovës, posaçërisht ata të komunitetit serb, që punojnë nëpër institucionet e Kosovës e që janë subjekt i hetimeve, keqtrajtimeve dhe fyerjeve nga autoritetet serbe”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Qeveria e Republikës së Kosovës e quan të pa tolerueshëm rastin e sotëm dhe kërkon që këto praktika nga ana e Serbisë të ndërpriten sa më shpejtë dhe që në të ardhmen asnjë qytetar i Kosovës, nga asnjë përkatësi etnike të mos ketë probleme të tilla.

“Serbia duhet ta kuptojë njëherë e mirë se situata të tilla nuk i kontribuojnë fqinjësisë së mirë”, thuhet në komunikatë.

22:03

Deputeti Sllobodan Petroviq ndalohet nga xhandarmëria e Serbisë, Kuvendi i Kosovës dënon ndalimin e tij

Deputeti Sllobodan Petroviq është ndaluar sot në Merdare nga xhandarmëria e Serbisë, e për këtë ka reaguar Kuvendi i Kosovës përmes një komunikate për media, me ç’rast dënon ashpër këtë ndalim.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës me shqetësim të thellë ka pranuar lajmin për ndalimin e sotëm të deputetit të tij, Sllobodan Petroviq, nga ana e xhandarmërisë së Serbisë, në pikën kufitare në Merdare. Deputeti Petroviq ishte duke udhëtuar në një vizitë familjare në Serbi (përkatësisht te motra e tij), në momentin kur është ndaluar (rreth orës 11:30) dhe intervistuar nga ana e xhandarmërisë serbe”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Kuvendi më tutje bën të ditur se deputeti i katër legjislaturave të Kuvendit, njëherësh ish-nënkryetar i tij, Sllobodan Peptroviq, është liruar pas katër orë mbajtjeje dhe maltretimi nga ana e organeve serbe të sigurisë.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës dënon ashpër ndalimin e deputetit të tij, duke e konsideruar atë akt të ulët dhe të papranueshëm. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga udhëheqja e Parlamentit të Serbisë që të distancohet dhe të dënojë rastin, i cili, si i tillë, paraqet shkelje flagrante të të drejtave të njeriut e të lëvizje​s së lirë”, thuhet në komunikatë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme