Arbëri

ISPE-ja ua dërgon përmbaruesit studentëve t’i paguajnë studimet që s’i kanë ndjekur fare

Studenti Betim Zullufi, i regjistruar në Kolegjin ISPE në vitin akademik 2011/2012, ka marrë kërkesë nga përmbaruesi Flamur Bogaj, që ta kryejë pagesën e plotë ndaj institucionit në fjalë.

Ai e kishte kryer vetëm një semestër dhe ka 7 vjet që jeton në Angli, por letra e përmbaruesit i ka shkruar në shtëpi, raporton KTV.

“Unë kam bërë pagesë për aq kohë sa kam ndjekur studimet. Pasi që mbeta pa punë, u detyrova t’i ndërpres studimet, e shumë shpejt udhëtova për në Angli, ku jetoj edhe sot. Më 26 nëntor, familja më tha se më kishte ardhur një letër nga përmbaruesi, se unë i detyrohesha fakultetit 3090 euro, sipas çmimit të kontratës, madje edhe pa zbritjen që na kishte bërë kolegji atë kohë”, ka thënë Zullufi.

Studenti Zullufi thotë se ka kuptuar që kështu po obligohen ta paguajnë kolegjin pa i ndjekur studimet edhe shumë kolegë të tij që i kishin ndërprerë studimet për arsye të ndryshme.

Studentët e kontaktuar i kanë thënë KTV-së që kur janë regjistruar nuk e kanë ditur se kontrata me kolegjin përmban këtë nen, që i obligon ata ta paguajnë kolegjin në tërësi, edhe nëse nuk i ndjekin studimet.

Disa prej tyre nuk kanë pranuar të flasin për televizionin, meqë tash kanë angazhuar avokat.

Visar Rrecaj, i cili po përfaqëson së paku 3 studentë që i kanë ndërprerë në këtë mënyrë studimet, thotë se kjo që po bën ky kolegj është joligjore.

Avokati thotë se kolegji nuk ishte interesuar kurrë për asnjërin nga studentët, por angazhoi përmbarues vetëm për t’i obliguar ta kryejnë pagesën.

Zyrtarët e Ministrisë së Arsimit nuk kanë dashur të prononcohen për këtë çështje, duke referuar që televizioni të drejtohet tek Agjencia e Akreditimit.

Por, ushtruesi i detyrës i kësaj Agjencie, Avni Gashi, thotë se merren vetëm me akreditimin e programeve, ndërsa kontratat mes studentëve dhe institucioneve arsimore, duhet t’i zgjidhë gjykata.

Lidhur me kontratën, për të cilën po ankohen studentët, nuk ka pranuar të flasë drejtori i Kolegjit ISPE, Leonis Gashi, për të treguar nëse pas pagesës do t’u lëshojë diploma këtyre ish-studentëve.

E, njësoj ka refuzuar të përgjigjet përmbaruesi i angazhuar Flamur Bogaj.

Përderisa Ministrisë së Arsimit dhe Agjencisë së Akreditimit nuk u intereson problemi i këtyre studentëve, atyre u mbetet të merren me gjykatat.